Haradinaj kërkon votim të përshpejtuar të Projektligjit për Dhomën e Posaçme të Supremes

Prishtinë | 28 Qer 2018 | 11:15 | Nga Valbona Bytyqi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Në seancën e jashtëzakonshme për shqyrtimin e parë të Projektligjit për Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme për çështjet në lidhje me Agjencinë Kosovare të Privatizimit, kryeministri Ramush Haradinaj tha se është në interesin e Kosovës që ky proces të merret në pronësi ligjore të Kosovës.

“E vërtetë që ligji ka shumë materie, është shumë e rëndësishme por ne në Qeveri kemi mundur ta kalojmë vetëm tani. Është në interesin tonë që ta rimarrim këtë proces në pronësi ligjore të Kosovës. Ligji mundet edhe në etapa të ardhshme me qenë proces i amendamentimit”.

Kryetarja e Komisionit për Legjislacion, Albulena Haxhiu, tha se ky komision nuk ka pranuar ta trajtojë në procedura të përshpejtuara këtë projektligj për shkak të rëndësisë së madhe që ka ai, raporton Ekonomia Online.

“Komisioni nuk ka pranuar që ta trajtojë në procedura të përshpejtuara për shkak se ky projektligj është tepër i rëndësishëm. Kemi një projektligj që ka mbi 100 nene dhe nuk ka vetëm një ndryshim që ka të bëjë me mandatin e EULEX-it. Mirëpo Qeveria e ka ditur qysh kohë më parë që do të përfundojë mandati i EULEX-it dhe pse nuk e ka proceduar përpara, andaj edhe e kemi kundërshtuar pa u lëshuar në përmbajtje”.

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, tha se procedimi i plotësim-ndryshimit të këtij projektligji nuk ka mundur të bëhet pa ndodhur këmbimi i letrave mes presidentit dhe Komisionit.

“Plotësim-ndryshimi i këtij projektligji ka filluar shumë kohë më parë por pa ndodhur këmbimi i letrave mes presidentit dhe komisionit nuk kemi mundur ta procedojmë.Këshilli Gjyqësor ka fillu me promovimin e gjykatësve të Dhomës së Posaçme. Ligjin për punëtorët e rregullon ligji për AKP-në, jo ky projektligj. Na këtu po shqyrtojmë vetëm atë të EULEX-it”.

Avdullah Hoti, shef i grupit parlamentar të LDK-së, tha se kanë vërejtje rreth Projektligjit për Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme.

“Ne në kryesi jemi dakordu që sot të kemi seancë të jashtëzakonshme me një nen apo dy, por ju keni dorëzu një ligj krejt të ri që ne kemi disa vërejtje bukur të mëdha dhe si të tillë nuk mund ta përkrahim shqyrtimin me shmangie të procedurave. P.sh. një nga kritikat është kalimi i kompetencave te një gjyqtar. Ne në parim do ta mbështesim këtë ligj me procedura të rregullta. Kështu nëse e keni prezantu, ne nuk mund ta mbështesim që t’i shmangim procedurat për një çështje kaq të rëndësishme”.

Memli Krasniqi tha se PDK-ja e mbështet kalimin e këtij projektligji përmes procedurës së përshpejtuar, edhe pse është shumë i rëndësishëm, raporton EO.

“Po pajtohemi që është një projektligj shumë i rëndësishëm por nuk do të thotë se nuk mund të kalohet përmes procedurës së përshpejtuar dhe si PDK ne e kemi mbështetë edhe këtë qasje edhe në mbledhjen e kryesisë.  Këtu i kemi dy situata nëse ne vendosim që të shkojmë me procedurë të përshpejtuar ne mund të funksionalizojmë Dhomën e Posaçme dhe që të mos ketë bllokime në procesin e privatizimit. Nëse shkojmë si po thotë opozita, atëherë duhet deri dy muaj dhe ne do të shkojmë në përfundim të sezonit dhe ky ligj ta shqyrtojmë në tetor. Opozita po kërkon që ky të trajtohet në fund të vitit 2018”.

Xhavit Haliti, nënkryetar i Kuvendit, tha se nëse ligji nuk shqyrtohet sot, mundësia tjetër është që të shqyrtohet më 6 korrik.

“Ligji i plotëson kushtet për javën e ardhshme dhe nëse ne përgatitemi, mund ta bëjmë një javë mbrapa. Nuk është domosdoshmërisht të shtyhet dy muaj. Mundësitë i kemi me i shqyrtu ligjin edhe sot, po nëse nuk bëhet, mundësinë e kemi që me shqyrtu më 6 korrik”.

Kryeministri Haradinaj i luti deputëtet që të votojnë për kalimin e projektligjit.

“Ju kisha lut që të mos i ikni dakordimit të kryesisë. Është një tregues i marrëdhënieve tona me BE-në. Ju siguroj se nuk e kam veç me e kalu ligjin. Nëse Kosova tregon një neglizhencë në marrjen e vendimeve është një prej asaj që mundet me nxjerrë Kosovën në mënyrë të kritikueshme”.

Albulena Haxhiu tha se grupi parlamentar i VV-së kërkon kohë për trajtimin e këtij projektligji.

“Ne kërkojmë që të kemi afatin kohor që ta trajtojmë këtë, ne si grup parlamentar nuk pajtohemi ta trajtojmë me procedura të përshpejtuara”.

Të ngjashme