Hoti: Shtyrja e miratimit të buxhetit është e kundërligjshme

Prishtinë | 28 Dhj 2018 | 14:28 | Nga Emine Shehu Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, ka thënë se shtyrja e miratimit të projektligjit për buxhetin e vitit 2019 është  e kundërligjshme, raporton Ekonomia Online.

Sipas tij, kjo tregon se pazaret ende janë të hapura mes koalicionit PAN dhe PSD-së dhe kjo shtyrje e thellon krizën.

“Qeveria e PAN-it e ka shtyrë miratimin e buxhetit për javën e tretë të janarit. E para, kjo është e kundërligjshme. Nuk mundet Kryeministri të deklarohet për këtë çështje. Në momentin e dorëzimit të çdo projektligji në Kuvend, është përgjegjësi e Kuvendit të procedojë në përputhje me Rregulloren e Punës. E dyta, kjo shtyrje tregon se pazaret në mes të PAN dhe PSD-së nuk janë mbyllur”.

“E treta, kjo shtyrje e thellon krizën institucionale në të cilën gjenden vendi. Është hera e parë që buxheti nuk aprovohet brenda afatit ligjor 31 dhjetor. Kjo është mungesa e legjitimitetit, që e kemi theksuar nga prill i këtij viti, ku Qeveria nuk i ka votat minimale në Kuvend për të funksionuar. Mungesa e legjitimitetit ka bërë që të gjitha seancat e sesionin vjeshtor 2018 të Kuvendit të Kosovës, gjithsej 11 seanca, të mbesin të hapura. Ky është qyqarllëk i koalicionit PAN”.

“Këta nuk kanë zotësi të qeverisin me vendin në mënyrë demokratike. E në anën tjetër, nuk kanë guxim të ballafaqohen me qytetarët dhe të japin përgjegjësi. Këta qyqarë po e mbajnë vendin peng, duke bërë pazare me PSD-në me buxhetin e shtetit vetëm për të qëndruar në pushtet”.

“PSD-ja duhet ta dijë se po bëhet përgjegjëse për dëmin po i bëhet shtetit të Kosovës dhe rendit demokratik, duke mbajtur në pushtet një qeveri të pakicës”.

Të ngjashme