Idrizi: Borxhet e trashëguara s’na ndalën, përmbushëm premtimet – qytetarët na përkrahën

Vushtrri | 30 Dhj 2022 | 14:08 | Nga Artiona Çitaku Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryetari i Vushtrrisë, Ferit Idrizi, në konferencën e fundvitit me gazetarë, e ka vlerësuar vitin 2022 si jo të lehtë për shkak të shumë borxheve të trashëguara nga qeverisja e kaluar. Përkundër kësaj, ai tha se kanë arritur që të realizojnë premtimet e dhëna, raporton Ekonomia Online.

Rëndësi të veçantë tha se i kanë kushtuar arsimit, për shkak se mbetet prioritet i tij, për këtë sqaroi se kanë subvencionuar transportin e të gjithë nxënësve që e kanë shkollën larg më shumë se 3 kilometra.

“Do të fillojë me fushën e arsimit për faktin se arsimi është dhe mbetet prioriteti im. Kemi realizuar disa projekte në arsim. Kemi asfaltuar fushën e sportit në një shkollë. Pra të gjitha këto investime që janë bërë në infrastrukturën shkollore kanë për qëllim, mirëqenien e arsimit”.

“Në profilet profesionalet që i kemi subvencionuar kanë për qëllim përgatitjen e të rejave dhe të rinjve për tregun e punës.  Është subvencionuar transporti i nxënësve për të gjithë nxënësit që e kanë shkollën më shumë se 3 km larg shtëpisë”.

Vend të posaçëm në planet e tij, tha se ka zënë edhe diaspora për çka edhe ditën e shtunë e kanë bërë ditë pune për ta, ku punon një staf i veçantë.

“Është organizuar festivali i diasporës, ku morën pjesë nga gjithë globi ku flitet në gjuhë shqipe. Në kuadër të ditëve të festivalit të diasporës janë shfaqur drama e aktivitete të ndryshme kulturore. Për herë të parë në Kosovë, dita e shtunë bëhet ditë pune për diasporën. Pra një staf i veçantë vetëm për diasporën”.

Subvencionet në bujqësi tha se mbërrin vlerën e 400 mijë eurove, krahasuar me vitin 2021 sa ishin 140 mijë euro, ku e gjithë shuma e investimeve në bujqësi e kap vlerën e 900 mijë eurove.

“I kemi rritur subvencionet nga 140 mijë në vitin 2021, në rreth 400 mijë euro. Për herë të parë subvencionohen fermerët.  Kemi pasur gjatë këtij viti edhe projekte të bashkëfinancuara. Gjithsej shuma e investimeve për fushën e bujqësisë është rreth 900 mijë euro”.

“Sa i përket barnave esenciale ato i siguron Ministria e Shëndetësisë. Marrëveshje kemi nënshkruar edhe shoqatën ‘Jetimët e Ballkanit’ për ndërtimin e 10 shtëpive për të pastrehët. Kemi paguar qiranë për 19 familje”. 

Tjetër investim i rëndësishëm tha ia është edhe rregullimi i shtratit të lumit Sitnica, por pa lënë anash edhe asfaltimin e rrugëve në qytet e fshatra si dhe ndërtimin e pesë urave.

“Kemi bërë rregullimin e shtratit të lumit Sitnica në bashkëpunim me Ministrinë e Infrastrukturës. Kemi ndërtuar shëtitore në dy anët e lumit Sitnica.  Janë asfaltuar shumë rrugë në qytet dhe fshatra, një pjesë e tyre kanë mbetur pa përmbyllur, por në pranverë do të mbyllen punimet”.

Sipas tij, Komuna e Vushtrrisë është komuna e parë që ka klasifikuar mbeturinat, sipas kritereve të BE-së. Për të gjitha këto të arritura ai në fund ka pasur një falënderim për të gjithë qytetarët e Vushtrrisë për bashkëpunim 1 vjeçar, raporton EO.

“Jemi komuna e parë që kemi marrë një shpërblim për monumentet historike në Sofje të Bullgarisë. Komuna e Vushtrrisë është komuna e parë që ka klasifikuar mbeturinat, sipas kritereve të BE-së. Kemi ndërtuar 5 ura. Kemi arritur që Fabrika e ujit të punojë 24 orë, nga 12 orë siç ka qenë”.

“I kemi larguar kabllot prej qytetit që kanë qenë debat sa vite. Kemi filluar vendosjen e tabelave në hyrje dhe në dalje të fshatrave.  Zjarret që kanë qenë verën e kaluar më duhet ta them se kanë qenë nga dora e njeriut, iu bëj thirrje modeste, humane që mos të ndodhë më. Krejt në fund unë dua t’i falënderoj të gjithë qytetarët e Vushtrrisë për bashkëpunim 1 vjeçar”.

Të ngjashme