Inspekcioni i komunës gjobit personin që largoi pengesat në rrugën “Muharrem Fejza”

Prishtinë | 27 Shk 2023 | 15:45 | Nga Ekonomia Online

Ditë më parë komuna e Prishtinës ka vënë pengesa në shtegun e çiklizmit në rrugën “Muharrem Fejza” të lagjes ‘Mati’, por të cilat në disa zona ishin hequr.

Drejtoria e inspekcionit në komunë ka bërë të ditur se kanë gjetur personin i cili largoi pengesat në rrugën ‘Muharrem Fejza’, i cili edhe është gjobitur.

“Drejtoria e Inspekcionit ka gjetur pengesat e larguara dhe të fshehura nga ky person, ka identifikuar dhe gjobitur personin në fjalë, si dhe ka rikthyer pengesat të cilat po mundësojnë qarkullimin e lirë dhe të papenguar të qytetarëve tonë”, thuhet në njoftim.

Tutje, nga kjo drejtori u theksua se derisa Komuna e Prishtinës po angazhohet për lirimin e hapësirave të parapara për qarkullimin e këmbësorëve dhe biçiklistëve, në mesin tonë ka edhe individ të pandërgjegjshëm të cilët po e pengojnë këtë proces.

Komuna ka nisur vendosjen e pengesave të ngjashme edhe në rrugën ‘Agim Ramadani’ ku në trotuar ka pasur vazhdimisht makina të parkuara, kjo edhe si shkak i numrit të bizneseve në këtë zonë.

Të ngjashme