Intervista e studentit të UP-së përkthehet në 14 gjuhë të botës

Prishtinë | 26 Dhj 2016 | 07:57 | Nga

Sociologu dhe profesori me prejardhje amerikane, George Ritzer, ishte i intervistuari i studentit Labinot Kunushevci në intervistën e botuar në revistën prestigjioze Global Dialogue të Shoqatës Ndërkombëtare të Sociologjisë – ISA.

Labinoti është student i programit Master në Departamentin e Sociologjisë të Universitetit të Prishtinës.

Intervista e studentit të UP-së e botuar në GD të ISA në fillim të këtij muaji pati një sukses të jashtëzakonshëm duke u publikuar dhe përthyer në 14 gjuhë të botës, në mesin e të cilave janë: gjuha angleze, franceze, spanjolle, portugeze, kineze etj.

Labinoti tha që për këtë sukses ka pasur një përkrahje nga profesorët dhe kolegët.

“Gjatë studimeve kam arritur ta shkathtësoj teknikën e intervistimit, e në veçanti me shkrim, kjo sepse gjatë studimeve në Sociologji kemi lëndë për metodologji hulumtuese të cilat më kanë ndihmuar shumë në realizimin e intervistave të tilla” shprehet ai.

Në anën tjetër, Shemsi Krasniqi, ligjërues në Departamentin e Sociologjisë në UP, e vlerësoi punën e studentit të tij si të veçantë, unike dhe me vlerë të jashtëzakonshme.

“Kjo është një e arritur e jashtëzakonshme e një studenti të sociologjisë, por e konsideroj sukses të madh edhe për Departamentin tonë. Nëse një student i Masterit ka arritur të komunikojë me ajkën sociologjisë botërore, t’i intervistojë dhe t’i botojë idetë e tyre në katërmbëdhjetë gjuhë të botës, është sukses edhe për vetë Universitetin e Prishtinës. Intervista e botuar në Global Dialogue, tregon se vlera e punës së tij është e përmasave ndërkombëtare. Ai tash lexohet nga sociologët e rinj në të gjitha anët e botës. Intervistën me Ritzerin e kam lexuar, madje edhe në frëngjisht. Fjala është për konceptet bashkëkohore që kanë të bëjnë me globalizimin dhe konsumin, të cilat nuk kanë depërtuar akoma në literaturën shqipe të sociologjisë. Ai ka bërë që t’i shfaqin idetë, konceptet, projektet dhe vizionet e tyre për botën bashkëkohore dhe kjo të motivon për punë, të jep shpresë se gjenerata e re e kupton seriozisht vlerën e punës dhe profesionit. Ky është një shembull që tregon se Rektorati duhet të mendojë për të krijuar fonde për shkencë dhe në ato fonde duhet të marrin pjesë edhe studentët” tha ndër të tjera Krasniqi.

Kjo nuk është intervista e parë e Labinotit. Sociologu i njohur Anthony Giddens ishte paraprakisht njëri ndër të intervistuarit e Kunushevcit rreth një vit më parë.

Po ashtu presidentja e ISA, Margaret Abraham etj.

Ai ka intervistuar 14 sociologë nga shumë hemisfera dhe universitete të botës, të cilat planifikon përveç në revista, t’i botoj edhe në libër, për të cilin pret përkrahje nga Universiteti i Prishtinës.

Të ngjashme