IPK përfshihet në rastin e sulmit ndaj Agron Mustafës

Prishtinë | 31 Dhj 2017 | 00:01 | Nga

Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) ka njoftuar se ka filluar hetimet për sulmin ndaj drejtorit të Telekomit të Kosovës, Agron Mustafa.

IPK-ja thotë se në këtë sulm janë përfshirë një zyrtar policor dhe një qytetar.

“Sot rreth orës 13:00 në rrugën “Enver Zymberi” në Prishtinë, Policia e Kosovës kishte pranuar informatën për një rrahje. Sipas informacioneve të para të përfshirë në këtë rrahje kanë qenë disa persona prej të cilëve dy kanë pësuar lëndime trupore. Lidhur me rastin në fjalë personat e përfshirë në këtë rast kanë shkuar në stacionin policor “Qendra” në Prishtinë”, njofton IPK.

Policia po ashtu ka njoftuar se në lidhje me rastin ka siguruar edhe disa video-incizime. “Pasi që dyshohej që në këtë rast ka pasur të përfshirë edhe zyrtarë policorë, bazuar në kompetencat ligjore dhe autorizimet e Inspektoratit Policor të Kosovës janë njoftuar edhe hetuesit e IPK-së. Të njëjtit (hetuesit e IPK-së) kanë dalë në vend ngjarje dhe është kontaktuar edhe prokurori kujdestar i cili edhe ka autorizuar ndërmarrjen e një sërë veprimesh hetimore drejt ndriçimit të këtij rasti duke përfshirë intervistimin e personave të dyshuar, disa dëshmitarëve, sigurimin e disa video-incizimeve që mund të kenë pamje të incidentit etj”, bëhet e ditur në komunikatë.

Sipas Inspektoriatit Policor të dyshuar në rastin në fjalë janë një zyrtar policor dhe një qytetar. “Nga Prokurori kompetent rasti është cilësuar si vepër penale “Lëndim i lehtë trupor” dhe deri tani dy persona janë cilësuar si persona të dyshuar (njëri nga ta zyrtar policor A.B. dhe tjetri qytetar). Me vendim të prokurorit kompetent rasti vazhdon në procedurë të rregullt përderisa do të vazhdohet me ndërmarrjen edhe të veprimeve tjera hetimore në konsultim me prokurorin nga hetuesit e IPK-së deri në ndriçimin e plotë të rastit”, bëhet e ditur në komunikatën e Inspektoriatit Policor të Kosovës (IPK).

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme