Ish-avokati deklarohet i pafajshëm për keqpërdorim të pozitës zyrtare

Prishtinë | 14 Maj 2018 | 14:10 | Nga

Ish-avokati Sinan Visoka, i cili akuzohet se kishte keqpërdorur pozitën e tij, duke paraqitur padi pa autorizim në emër të familjes Koliqi, është deklaruar i pafajshëm, në seancën fillestare, të mbajtur të hënën, në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

“Jam i pafajshëm. Çuditem që një gjykatë nxjerr një aktgjykim dhe nuk ka aktakuzë. Në kompaninë e sigurimeve mungon kërkesa për kompensim dëmi, unë jam çuditur kur e kam kuptuar një gjë të tillë. Palës i kanë shku paret në xhirollogari”, ka deklaruar i akuzuari Visoka.

Ndërkaq, pasi Visoka nuk e ka pranuar fajësinë, kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Shashivar Hoti e njoftoi të akuzuarin dhe mbrojtësin e tij, avokati Isa Salihun se brenda afatit prej 30 ditësh, mund të paraqesin kërkesë për hudhje të aktakuzës dhe të bëjnë kundërshtimin e provave, betimiperdrejtesi.com.

Shqyrtimi i dytë është caktuar të mbahet më 18 qershor 2018, në ora 9:00.

Ndryshe, ky rast i ishte caktuar gjykatësit Hamdi Ibrahimi, mirëpo i njëjti në maj të vitit të kaluar, kishte bërë kërkesë për përjashtimin e tij, për arsye se me të dëmtuarin Shaip Koliqi kishin punuar për shumë vite në një ndërmarrje dhe sipas Ibrahimit, kjo rrethanë mund të vinte në dyshim paanshmërinë e tij që të vendos në këtë çështje penale.

Pas kësaj kërkesë, kryetarja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Afërdita Bytyqi, lëndën ia kishte ndarë gjykatësit Vehbi Kashtanjeva, mirëpo, për shkak se i njëjti është anëtar i trupit gjykues së bashku me gjykatësin Ibrahimi, këtë lëndë do ta përfaqësojë gjykatësi Shashivar Hoti.

Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 28 shkurt 2017, ka ngritur aktakuzë ndaj Sinan Visokës, me pretendimin se i njëjti në cilësinë e avokatit ka keqpërdorur pozitën e tij.

Sipas aktakuzës, Visoka me qëllim të përfitimit pasuror pa autorizimin e Shaip, Xhemë, Ragip, Bajram, Hasime, Imer, Azemine, Hasan, Zejnie, Mustaf dhe Haxhere Koliqi të dëmtuar në një aksident trafiku në fshatin Penuhë në Komunën e Podujevës, ku kishte ndërruar jetë vëllai i tyre Kemajl Koliqi, kishte paraqitur padi në gjykatë, në emër të tyre.

Avokati Sinan Visoka, sipas aktakuzës, pa autorizim të të dëmtuarve më 14 maj 2010, kishte paraqitur padi në Gjykatën Komunale të Podujevës për kompensim të dëmit, duke shkruar e nënshkruar vetë padinë pa autorizimin që të jetë përfaqësues i të dëmtuarve në fjalë.

Tutje, thuhet se Visoka kishte lidhur ujdi jashtëgjyqësore në emër të zhdëmtimit për të dëmtuarin Shaip Koliqin dhe ujdinë për kompensimin e kësaj familje në shumë prej 19,500 euro me njësinë e sigurimeve të detyruara në Prishtinë.

Visoka gjithmonë sipas aktakuzës,  shumën e larët cekur e kishte pranuar dhe e kishte bartur në xhirollogarinë e të dëmtuarit Shaip Koliqi, kurse 7.5% të shumës prej 679 euro pa pasur autorizim e kishte ndalur për vete.

Në bazë të kësaj, ai akuzohet se ka keqpërdorur pozitën apo autoritetin e tij zyrtar, nga neni 422,  vepër kjo e paraparë në Kodin Penal të Kosovës.

Të ngjashme