Iu shiste drogë adoleshentëve dhe studentëve, në pranga 24 vjeçari

Prishtinë | 28 Maj 2019 | 10:47 | Nga Ekonomia Online

Shpërndante ekstazi nëpër shkolla dhe pranë Universiteti, arrestohet në Shkodër, poseduesi i lendes narkotike.

Arrestimi i tij u bë në kuadër të operacionit të koduar “Pedonalja”, ku raportohet se në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar 990 tableta ekstazi.

Bazuar mbi provat e grumbulluara gjatë hetimit 3 – mujor me metoda speciale, si rezultat i të cilave rezultoi se 24 – vjeçari kishte aktivitet kriminal në drejtim të shitjes dhe prodhimit të narkotikëve, Strukturat e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Narkotikëve, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Shkodër dhe Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Shkodër, zhvilluan dhe finalizuan me sukses operacionin policor “Pedonalja”.

Si rezultat i operacionit, në lagjen “Kongresi i Përmetit” Shkodër, u bë kapja dhe ndalimi i shtetasit M. K., 24 vjeç, banues në Shkodër, ku gjatë kontrollit Policia i gjeti një sasi prej 310 copë tableta të dyshuara si lëndë narkotike “ekstazi”, të cilat po i shpërndante.

Në vijim të kontrollit, në një banesë që ky shtetas e mbante me qira, Policia gjeti edhe 11 qese farmaceutike me një total prej 680 copë tableta, të dyshuara si lëndë narkotike të llojit “ekstazi”.

Gjatë operacionit u gjetën dhe u sekuestruan gjithsej 990 tableta lëndë narkotike e dyshuar e llojit “Ekstazi”.

Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Shkodër, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme