Kandidati i LDK-së për asamblist zgjidhet kryeshef i “Sport Marketingut”

Prishtinë | 27 Tet 2022 | 15:51 | Nga Ekonomia Online

Bardh Krasniqi, kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për asamblist në Prishtinë në zgjedhjet e fundit lokale, është zgjedhur kryeshef ekzekutiv i ndërmarrjes publike lokale “Sport Marketing”. Ai kishte aderuar në LDK verën e vitit 2021.

Krasniqi ka fituar më së shumti pikë në garën për të qenë kryeshef i “Sport Marketingut”, bazuar në vlerësimin veçmas dhe të pavarur nga komisioni vlerësuar, siç ka njoftuar Komuna e Prishtinës të enjten.

Ai është vlerësuar me 37 pikë. Kandidati Arton Shabani ka pasur 28 pikë, Fitim Havolli 25.5 dhe Valon Berisha 25.

Komuna e Prishtinës udhëhiqet nga LDK-ja me kryetarin Përparim Rama.

Për emërime politike në Komunën e Prishtinës ka pasur akuza nga opozita. Lëvizja Vetëvendosje akuzoi LDK-në ditë më parë se ka emëruar politikisht kryeshefin e “Prishtina Parkingut”, Sokol Havolli.

Të ngjashme