KCSF dhe misioni i USAID në Kosovë: Angazhimi qytetar është i domosdoshëm për t’i dhënë jetë qyteteve

Prishtinë | 23 Maj 2022 | 15:58 | Nga Gjakovë

Qytetet pa njerëzit që veprojnë, organizojnë dhe bashkëjetojnë në të, mbeten vetëm trupa fizik. Prandaj, angazhimi qytetar është i domosdoshëm për t’i dhënë jetë qyteteve. “Bashkë angazhohemi”, është motoja nën të cilën Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) dhe Misioni i USAID në Kosovë po vazhdojnë dialogun mbarëkombëtar që nisi me 12 maj të këtij viti në Prizren, vazhdoi në Pejë dhe sot po mbahet edhe në rajonin e Gjakovës.

Dialogu me qytetarët dhe qytetaret, ka për qëllim që të prezantojë prioritetet, veprimet e aktivitetet kryesore të Programit për Angazhim Qytetar (CEA), por edhe të angazhojë publikun në diskutime tematike rreth tri fushave kryesore të programit: 1) Angazhimi i komunitetit; 2) Rritjen e besimit ndërshoqëror si dhe 3) Zgjerimin dhe mobilizimin e burimeve të reja për shoqërinë civile.

Kjo në mënyrë që të ketë gjithëpërfshirje në diskutimin për atë se si të krijohen dhe ndërtohen hapësira, shkathtësi, e modele përmes së cilave angazhimi qytetar bëhet i mundshëm, e komunitetet ku jetojmë e veprojmë jo vetëm bëhen hapësira më të mira jetese, por edhe hapësira e komunitete të cilave duam t’i përkasim e ku përkatësia është e mundshme.

Që të arrihet kjo, duhet një bashkëveprim, i sinqertë, i të gjitha strukturave të shoqërisë, dhe një kuptim më i mirëfilltë i asaj se çka është dhe çka përfaqëson shoqëria civile. E kjo nuk mund të ekzistojë pa qytetarët dhe qytetaret e saj.

Kjo u theksua edhe përgjatë fjalës hyrëse të drejtorit ekzekutiv të KCSF-së, Taulant Hoxha.

“Kryesisht kemi parapa aktivitete të drejtpërdrejta si: aftësim, mentorim dhe avokim, metodologji të punës, takime bashkëpunimi, platforma online, ekspertizë, monitorime, ndihmë ligjore, e shumë të tjera, dhe atë jo vetëm në Prishtinë, por në mbarë Kosovën”, tha Hoxha, duke i vënë theks faktit se Programi për Angazhim Qytetar është program që zbatohet me pjesëmarrje të drejtpërdrejtë të qytetarëve në të.”, tha Hoxha.

Programi për Angazhim Qytetar, realizohet në partneritet ndërmjet KCSF-së dhe misionit të USAID-it në Kosovë, dhe përfaqëson një qasje të re të USAID në mënyrën se si mbështet dhe angazhohet me shoqërinë civile, e që ka për synim përkrahjen shoqërisë civile në mënyrë që ajo të jetë e qëndrueshme, gjithëpërfshirëse, dhe e pavarur në ushtrim të aktivitetit të vet.

“Vetëm duke qenë këtu në këtë sallë, ju po demonstroni përkushtimin tuaj ndaj rolit tuaj në angazhim qytetar për ta bërë Kosovën një vend më të fuqishëm dhe më të mirë. Të gjithë këtu ndajnë këtë qëllim të përbashkët, që do të thotë se po fillojmë nga një vend i fuqishëm. Secili prej nesh këtu vjen me përvojat, këndvështrimet, aftësitë dhe interesat tona. Dallimet tona mund të plotësojnë njëra-tjetrën dhe të përforcojnë njëra-tjetrën, duke na ndihmuar përfundimisht të arrijmë qëllimet që kemi vendosur së bashku”, tha shefja e Misionit të USAID në Kosovë, znj. Zeinah Salahi përgjatë lansimit të Programit për Angazhim Qytetar në rajonin e Gjakovës sot.

Nëpërmjet diskutimeve paralele dhe joformale, në takimin e sotëm në rajonin e Gjakovës, u diskutua me qytetarët dhe qytetaret, organizatat lokale të shoqërisë civile, bizneset, institucionet publike lokale dhe mediat, për tri fushat tematike të programit: angazhimin qytetar, besimin ndërshoqëror, zgjerimin dhe mobilizimin e burimeve te reja, si dhe format se si Programi për Angazhim Qytetar mund të jetë i dobishëm për ta.

Kryetari i Komunës së Gjakovës, z. Adrian Gjini e vlerësoj lartë Programin për Angazhim Qytetar duke vlerësuar punën e shoqërisë civile dhe njëkohësisht përkrahjen e donatorëve si USAID.

“Shumica prej jush jeni të rinj dhe po du me ju tregu që në fund të qershorit 1999 vetëm dy javë pasi ka përfunduar lufta, në prej projekteve më të mëdha për rehabilitimin e pjesës së vjetër të qytetit, që ka qenë krejt i djegur, e kemi nisur me USAID. Pra qysh atëherë e deri tash populli amerikan, përmes USAID dhe misioneve tjera ka qenë bashkëpunëtorë, kështu që ju faleminderit shumë”, tha Gjini duke folur tutje për rëndësinë e angazhimit të përbashkët qytetar për projekte në të mirë të komunitetit.

Rreth Programit për Angazhim Qytetar

Programi për Angazhim Qytetar është një iniciativë pesëvjeçare që zbatohet nga KCSF në partneritet me USAID-in në Kosovë. Qëllimi kryesor i këtij programi është të nxisë një kulturë aktivizimi që e bën jetën në lagjet dhe qytetet tona më të mirë, më të kujdesshme dhe kuptimplotë. Nëpërmjet Programit për Angazhim Qytetar do të realizohen një numër i aktiviteteve të bazuara në tre shtyllat thelbësore tematike.

Të ngjashme