KDI: SHSKUK-ja dëmtoi buxhetin e saj për rreth 42 mijë euro

Prishtinë | 31 Jan 2022 | 13:59 | Nga Ekonomia Online

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), njofton se Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës (SHSKUK), ka nënshkruar një kontratë me një kompani për furnizim me maska kirurgjikale dhe dorëza, duke pranuar kështu çmimet më të larta se çmimi mesatar në tenderin e hapur për maska kirurgjikale.

Sipas KDI-së, SHSKUK-ja nuk ka ftuar të gjithë operatorët që kanë ofertuar në tenderin e hapur dhe ka pranuar çmimin më të lartë se ai që i është ofruar nga kompania me të cilën ka nënshkruar kontratën prej 150.035 euro për tre muaj.

“Madekos ka ofertuar 0.03 euro në tenderin e hapur, ndërsa në tenderin me procedurë të negociuar, 0.04 euro”, thuhet në njoftimin e KDI-së.

Sipas të dhënave të publikuara nga ky Institut, totali prej 150.035 euro është çmim i kontratës së negociuar, por se çmimi mesatar në tenderin e hapur do të duhej të ishte 107.931 euro.

Në njoftim më tej thuhet se nuk ka pasur publikim të njoftimit për kontratë, gjë që nënkupton se autoriteti kontraktues duhet të tentojë që të negociojë dhe të ulë çmimin.

“SHSKUK është dashur të ftojë të gjithë OE që kanë ofertuar në tenderin e hapur në mënyrë që të marrë çmime më të lira. Një nga parimet bazë të prokurimit është konkurrenca dhe është vërtetuar se kur rritet niveli i konkurrencës ka mundësi më të mëdha që të ketë çmime më të ulëta”, thuhet në njoftim.

Madje, raportohet se një nga operatorët ekonomikë që ka marrë pjesë në tenderin e hapur është ankuar me pretendimin se nuk është ftuar të marrë pjesë në tenderin e negociuar dhe se do të mund që këto produkte t’i ofertonte me çmim prej 90,000 euro, pra rreth 60,000 më lirë se çmimi i kontratës.

Të ngjashme