“Këndi i Kurajës” në Lipjan ekspozon punimet artizanale të grave të dhunuara gjatë luftës

Prishtinë | 08 Mar 2023 | 12:32 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Në Ditën Ndërkombëtare të Gruas, komuna e Lipjanit ka inauguruar “Këndin e Kurajës”, projekt ky i cili nëpërmjet punimeve te dorës ka për qëllim të përçojë mesazhin se përkundër vuajtjeve dhe sakrificave, gratë nga vendi ynë kanë gjetur forcë dhe kurajë për ta vazhduar jetën.

Në “Këndin e Kurajos” janë të ekspozuara punimet artizanale nga viktimat e dhunës gjatë luftës në Kosovë, raporton Ekonomia Online.

Kryetari i komunës së Lipjanit, Imri Ahmeti, tha se këndi nuk është vetëm kujtim i të kaluarës, por edhe një protestë e reagim ndaj “asaj që ka ndodhur në vendin tonë”.

Ai tutje ka bërë thirrje që të vazhdohet lufta për barazi gjinore dhe të gjehen ata që kanë ushtruar dhunë ndaj grave.

“Këndi i Kurajës nuk është vetëm për të kujtuar të kaluarën, vuajtjet dhe sakrificat, por kjo iniciativë është edhe një protestë, është edhe një shkas, është zëri i grave të Kosovës për të reaguar ndaj asaj që ka ndodhur në vendin tonë”.

“Është kërkesë e përhershme për ta vazhduar luftën për barazi gjinore dhe t’i gjejmë ata që kanë bërë masakra dhe dhunime ndaj grave. Të angazhohemi që 8 marsi të mos jetë vetëm festë por të shënojë progres në luftën për barazi gjinore”, ka thënë ai.

Ndërsa, kryesuesja e Grupit të Grave në Lipjan, Hyra Bytyçi, njëherit iniciuese për vendosjen e “Këndit të Kurajës”, ka theksuar se këto gra nëpërmjet punimeve të dorës kanë gjetur një formë tjetër rehabilituese, një ndihmesë drejtë fuqizimit të tyre në anën ekonomike si dhe shpresën për rindërtimin e jetës.

“Jo rastësisht, promovimi i këtij projekti po bëhet sot, pikërisht më 8 Mars, në Ditën Ndërkombëtare të Gruas, në ditën në të cilën kujtohen arritjet e kushteve sociale, politike dhe ekonomike të grave në botë, por edhe dhuna dhe abuzimi që shumë gra janë ende duke e vuajtur.”

“Dhuna të cilën e përjetuan gratë gjatë luftës po shpaloset sot para jush në formën e artit. Sikur e kaluara të mos mjaftonte, shumë nga këto gra ende ballafaqohen me ankthin e stigmës dhe paragjykimit. Por, tmerrin e së kaluarës dhe sfidat e së tashmes kanë vendosur që t’i shndërrojnë në burime kreativiteti”, është shprehur ajo.

E Ambasadorja e NDI-së, Nancy Soderberg, citoi kryetaren e parë të kësaj organizate se “demokracia është e vështirë, por pa gra është e pamundur”.

“E çmoj angazhimin tuaj në promovimin e këndit të kurajës, dhe inkurajimin që i bëni grave që ato ta luftojnë diskriminimin. Ne mundohemi që ta fuqizojmë rolin e gruas në shoqëri sa më shumë dhe siç ka thënë  sekretarja e shtetit dhe kryetarja e parë e organizatës tonë, demokracia është e vështirë, por pa gra është e pamundur”, u shpreh ajo, raporton EO.

Të ngjashme