KFOR-i mohon se po e stërvit FSK-në në Bajgorë

Prishtinë | 06 Gus 2018 | 19:33 | Nga

Forca e Aleancës Veritlantike në Kosovë – KFOR i ka hedhur poshtë lajmet e medieve serbe se po po stërvisin qe disa javë pjesëtarë të FSK-së, në bjeshkët e Bajgorës.

Medie nga Beogradi raportuan se KFOR po stërvit pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), duke e bërë gati si ushtri të ardhshme të Kosovës. Por, raportimet i ka quajtur të pavërteta KFOR-i.

“KFOR-i nuk është duke kryer asnjë ushtrim me FSK-në në Bajgorë. KFOR-i, brenda mandatit dhe detyrave të veta, mbështet të gjitha institucionet dhe organizatat e sigurisë në Kosovë dhe në veçanti mbështet zhvillimin dhe ngritjen e kapaciteteve të FSK-së brenda mandatit të saj të tanishëm”.

“KFOR-i mbështet FSK-në në kryerjen e operacioneve në reagim ndaj krizave dhe operacioneve për mbrojtje civile, duke ndihmuar autoritetet civile në reagim ndaj fatkeqësive natyrore dhe emergjencave tjera”, thuhet në përgjigjen e KFOR-it për Zeri.info.

Më tej, në këtë përgjigje thuhet se shembulli i fundit i kësaj mbështetjeje është ushtrimi në Vrellë afër Aeroportit të Prishtinës.

“Shembulli i fundit i kësaj mbështetjeje ishte ushtrimi “Shpata e argjendtë”, i mbajtur në prill të këtij viti në kampin Vrellë afër Aeroportit të Prishtinës, ku KFOR-i së bashku me EULEX-in dhe organizatat e sigurisë në Kosovë (përfshirë edhe FSK-në) kanë zhvilluar trajnim për koordinim dhe përballje me operacionet në raste të emergjencave në mënyrë që të ofrojnë ndihmë për qytetarët në Kosovë pas një rasti të simuluar të tërmetit”, përfundon përgjigja e KFOR-it.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme