Kisha Ortodoke serbe i ankohet Blinken për Manastirin e Deçanit

Prishtinë | 13 Shk 2022 | 16:48 | Nga Ekonomia Online

Peshkopi Irinej i Amerikës Lindore i ka dërguar një letër Sekretarit të Shtetit të SHBA-së, Antony Blinken, në lidhje me, siç e ka quajtura ai, persekutimin e hapur nga autoritetet e Prishtinës ndaj Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë dhe veçanërisht Manastirit të Deçanit.

Siç thuhet në letrën dërguar Blinken, viteve të fundit, peshkopi Irinej shpeshherë është paraqitur dhe ka avokuar personalisht para opinionit amerikan për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore njerëzore të klerit, manastirit dhe besimtarëve të Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë, përcjell Demokracia.com.

Në letrën e fundit, peshkopi i tërhoqi vëmendjen Sekretarit Blinken për faktin se “sivjet bëhen gjashtë vjet nga vendimi përfundimtar i autoriteteve më të larta gjyqësore në Prishtinë që korrigjoi padrejtësinë historike dhe i kthen tokat e konfiskuara Manastirit të Deçanit, i cili vazhdon të mbetet i pazbatuar”.

Sipas tij, zyrtarët në Prishtinë po refuzojnë publikisht të zbatojnë vendimin e gjykatës, pasi ai ka të bëjë me Kishën Ortodokse Serbe.

Tutje në letrën e tij, Peshkopi shprehu shqetësim të veçantë për përshkallëzimin e retorikës negative nga autoritetet e Prishtinës dhe personalitete nga jeta politike dhe publike e Kosovës, “të cilët gjithnjë e më shumë po refuzojnë të njohin të drejtat e garantuara për Kishën Ortodokse Serbe me ligj dhe kushtetutën vendore”.

Në këtë drejtim dhe për hir të një zgjidhjeje të përshtatshme, Peshkopi u bëri thirrje autoriteteve amerikane që të konsiderojnë vendosjen e sanksioneve ndaj të gjithë aktorëve të kësaj padrejtësie historike, “duke qenë se veprime të tilla diskriminuese rrezikojnë pajtimin midis kombeve dhe destabilizojnë rajonin”, thuhet në fund të letrës së Irinej.

Të ngjashme