Kolektivi për Mendim të Mirë dhe Veprim Feminist reagon pas vdekjes së punëtorit në Prishtinë: Kapitalizmi i egër nxori edhe një kufomë nga punishtet

Prishtinë | 28 Kor 2026 | 21:59 | Nga Ekonomia Online

Kolektivi për Mendim të Mirë dhe Veprim Feminist ka reaguar pas vdekjes së një punëtori 20-vjeçar në një vendpunishte në Prishtinë, duke kritikuar kushtet e punës dhe sigurinë në sektorin e ndërtimit.

Në një komunikatë, kolektivi ka bërë të ditur se ka realizuar edhe grafite në Prishtinë si reagim ndaj rastit tragjik, ndërsa ka akuzuar institucionet dhe sektorin e ndërtimit për neglizhencë ndaj sigurisë së punëtorëve.

“Me pikëllim e revoltë e pamë sot tek shpaloset edhe një episod fatal i kapitalizmit të egër e vrastar që nxori edhe një kufomë prej punishteve të ndërtimit dhe la të tjerë të plagosur”, thuhet në reagim.

Sipas këtij kolektivi, punëtorët e ndërtimit përballen me kushte të rënda pune dhe mungesë të mbrojtjes së duhur.

“Mafia e ndërtimit tash e sa kohë po ngrehë godina mbi gjakun e punëtorëve, ndërsa shteti i bëhet hisedar në trashje të pushtetit dhe shtypje kriminale të klasës punëtore. Në një shtet që më së paku i takon punëtorëve, për kapitalistët mafiozë kurbani i fitimit janë njerëzit që flijohen për t’i ushqyer apetitet për fitim e grumbullim”, thuhet në komunikatë.

Kolektivi ka deklaruar se punëtorët, sipas tyre, shpesh detyrohen të punojnë në kushte të vështira, me paga të ulëta dhe pa mbrojtje të mjaftueshme.

“Të keqpaguar, të keqtrajtuar e të detyruar të punojnë edhe në mot përvëlues, punëtorët e ndërtimit punojnë në teh të ekzistencës. Krejt kjo teksa institucionet shtetërore herë shiten e herë bëhen indiferente ndaj krejt klasës punëtore”, thuhet më tej.

Në reagim thuhet se kushtet e punës dhe gjendja sociale janë pjesë e një problemi më të gjerë shoqëror.

“Sot, ne e jetojmë realitetin tonë si punëtore/ë nëpërmjet shtypjeve të shumëfishta që na vijnë prej partneritetit kapitalisto-shtetëror. Kushtet materiale që po qesin shumë prej nesh në marrëdhënie pune çnjerëzore dhe kufijë ekzistence janë emëruesit e përbashkët të gjendjes tonë kolektive”, thuhet në komunikatë.

Kolektivi ka bërë thirrje për organizim dhe mbrojtje të të drejtave të punëtorëve.

“Ne duhet ta mobilizojmë veten për ta marrë në dorë fatin tonë dhe t’i kundërvihemi çdo pushteti që na sundon nëpërmjet shpërfilljes e zullumit, duke vrarë disa prej nesh dhe duke lënë të rraskapitur e të shtypur pjesën tjetër. Organizimi ynë duhet të jetë organizim që mbron jetën dhe dinjitetin nga klasa kapitaliste”, thotë reagimi.

Të ngjashme