Komisioni Parlamentar për Arsim e miratoi Projektligjin për Arsimin e Lartë

Prishtinë | 24 Jan 2023 | 16:07 | Nga Ekonomia Online

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, ka marrë pjesë në Komisionin Parlamentar për Arsim, i cili sot e ka shqyrtuar dhe e ka miratuar në parim Projektligjin për Arsimin e Lartë, duke i hapur kështu rrugën për lexim të parë në Kuvendin e Kosovës.

Me këtë rast, ministrja Nagavci përmendi faktin se nisma për këtë projektligj daton nga marsi i vitit 2015, ndërsa deri në vitin 2018 janë hartuar dy versione, të cilat, për shkaqe të ndryshme, nuk janë proceduar për aprovim.

Ajo theksoi se me marrjen e mandatit qeverisës, për më pak se një vit kemi arritur ta hartojmë draftin e ri të Projektligjit dhe ta nxjerrim në konsultim publik.

Ministrja Nagavci, më pas, ka prezantuar para anëtarëve të Komisionit disa nga risitë që sjellë ky Projektligj, në procesin e hartimit të të cilit janë përfshirë të gjithë akterët relevantë si: ekspertë nga MASHTI, Agjencia e Kosovës për Akreditim, përfaqësues të komunitetit akademik dhe të shoqërisë civile.

Disa nga risitë që sjellë ky Projektligj janë, për të cilat foli ministrja Nagavci janë:

-Kritere të qarta për themelimin e institucioneve me qëllim të ushtrimit të aktiviteteve në arsim të lartë-shkencor, profesional, artistik.

-Përcaktimi i obligimeve dhe detyrave të strukturës qeverisëse të institucioneve publike të arsimit të lartë duke siguruar vendimmarrje të pavarur dhe të pandikuar;

-Përcaktimi i standardeve minimale dhe kushteve për emërime akademike;

-Financimi i institucioneve publike në bazë të kontratave të performancës;

-Vendosja e mekanizmave për sigurimin e integritetit akademik: Komiteti etik në nivelin qendror, këshilla të etikës në çdo institucion të arsimit të lartë;

-Verifikimi i titujve akademik.

Ministrja theksoi rëndësinë e këtij Projektligji për zhvillimin e sektorit të arsimit të lartë në Kosovë dhe zbatimin e Strategjisë së Arsimit 2022-2026.

Të ngjashme