Kompania që barti turqit e deportuar gënjeu për qëllimin e fluturimit, mund të gjobitet me 1 milion €

Prishtinë | 22 Maj 2018 | 11:45 | Nga Donika Osmani Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kompania me të cilën kanë udhëtuar gjashtë shtetasit turq të deportuar nga Kosova ka gënjyer për qëllimin e fluturimit, ngase leja është kërkuar për fluturim komercial, raporton Ekonomia Online.

Kështu deklaroi para komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike, Driton Gjonbalaj, drejtor në  Autoritetit të Aviacionit Civil (AAC), kur po raportonte raportin për vitin 2017. Por ai tha se kjo është përgjegjësi e Ministrisë së Infrastrukturës (MI).

“Është përgjegjësi e MI-së, si hisedar dhe kolegë që punojmë bashkë e ne e dimë se kërkesa për fluturim është bërë në MI si fluturim komercial, kompania ka gënjyer për qëllimin e fluturimit. Çfarë ka ndodhur në ndërkohë është duke u hetuar? AAC për shkak se nuk është kompetencë e saj nuk ka qenë e përfshirë direkt në këtë proces”.

Gjonbalaj tha se nëse miratohet fluturimi komercial AAC bën vetëm kontrollin teknik të aeroplanit, duke shtuar se asnjë pasagjer nuk mund të hyjë në aeroplan pa u kontrolluar së fundi nga Policia e Kosovës.

“Nëse miratohet fluturimi komercial, AAC bën kontrollin teknik të aeroplanit. Përderisa asnjë pasagjer nuk mund të hyjë në aeroplan pa kaluar, PK-ja është autoriteti final që i kontrollon të dhënat e udhëtarëve për me qenë pasagjer në atë aeroplan, nuk e di që mund të ketë mekanizëm tjetër për të kaluar deri në aeroplan”.

Ai iu përgjigj pyetjes se Kryetarit të komisionit, Driton Selmanaj, lidhur me operimin e avionit që deportoi 6 shtetasit turq.

“Cila është gjendja në rastin e operimit të atij avioni që mori turqit dhe largoi”, ka thënë Selmanaj.

Faton Topalli, nga PSD-ja, ka theksuar se a është marrë ndonjë gjobë apo kallëzim penal për operatorin që ka gënjyer për qëllimin e fluturimit.

“A është marrë ndonjë gjobë, kallëzim penal ndaj një operatori që ka kryer fluturim të rrejshëm”, ka thënë Topalli.

Gjonbalaj tha se MI është duke u marrë me këtë çështje, por se mund të vendoset gjoba deri 1 milion euro për atë operatorë dhe të merren masa të tjera.

“MI është duke bërë punë të madhe në të gjitha rrethanat që ka marrë të dhëna, mund të vendos gjoba deri 1 milion euro. Autoritetet kompetente me përpikëri janë duke vazhduar punën e vet deri në përfundimin e këtij rasti”, ka thënë Gjonbalaj.

Mërgim Lushtaku, nënkryetar i komisionit, tha se disa nga të metat e raporti vjetor janë menaxhimi jo i duhur i personelit dhe sistemi i auditimit të brendshëm nga AAC-ja nuk përmbush kriteret.

“Sistemi i auditimit të brendshëm nuk ka qenë i kompletuar.  Kemi vërejt që nuk ka të bashkangjitur një pasqyrë financiare vjetore, dhe ZKA duhet të jap rekomandime dhe të dhëna për menaxhimin e personelit.  Të angazhohet departamenti i auditimit që të bëjnë auditimit e brendshëm të këtij institucioni për vitin 2017”, ka thënë Lushtaku.

Ndërsa Driton Gjonbalaj, drejtori i përgjithshëm në Autoritetin e Aviacionit Civil, tha se tek menaxhimi i personelit tek rekrutimet dhe pushimet e lehonisë ka qenë një auditim i suksesshëm.

“Ne si Agjenci e kemi dorëzuar raportin në Kuvend dhe deri tash ai është dashur t’i shpërndahet deputetëve.  Tek Menaxhimi i personelit me rekrutimet dhe  pushimet e lehonisë, kemi pas një auditim të suksesshëm dhe me krenari mund të ju themi se nuk ka pasur asnjë gjetje”.

Emine Fazliu nga Zyra Kombëtare e Audimit tha se AAC-ja sa i përket pushimeve të lehonisë dhe rekrutimit që nuk ka pasur rezultat në raport, sipas saj, kjo është çështje e brendshme e AAC-së.

Sa i përket sistemit të audimit të brendshëm ajo tha se AAC-ja nuk përmbush kriteret për auditim, raporton EO.

“AAC në fundvit ka dalë me një kursim 30 mijë euro  në kuadër të pagave dhe mëditjeve, kjo ka ndodh që dy zyrtarë kanë dhënë dorëheqje”.

Të ngjashme