Komuna e Hanit të Elezit, fituese e Çmimit Evropian për Qeverisje të Shkëlqyer

Hani i Elezit | 16 Nën 2022 | 08:04 | Nga Ekonomia Online

Komuna e Hanit të Elezit është shpallur fituese e Çmimit Evropian për Qeverisje të Shkëlqyer nga Shoqata Evropiane për Demokraci Lokale-ALDA.

Këtë e ka bërë të ditur kreu i kësaj komune, Mehmet Ballazhi përmes një postimi në Facebook.

Ai ka thënë se ky program i akredituar nga Këshilli i Evropës, iu jepet komunave të cilat kanë arritur një nivel të lartë të qeverisjes së mirë, e krahasueshme me standardin e Këshillit të Evropës, u jepet një çmim i ekselencës në qeverisje.

“Afër një vjetorit të qeverisjes komunale, sot jemi njoftuar nga Shoqata Evropiane për Demokraci Lokale-ALDA, se Komuna e Hanit të Elezit është fituese e Çmimit Evropian për Qeverisje të Shkëlqyer, program ky i akredituar nga Këshilli i Evropës, përmes të cilit komunave të cilat kanë arritur një nivel të lartë të qeverisjes së mirë, e krahasueshme me standardin e Këshillit të Evropës, u jepet një çmim i ekselencës në qeverisje”, ka shkruar Ballazhi.

“Duke pasur parasysh faktin që jemi në muajin e fundit të përmbylljes një vjeçare të qeverisjes në Komunën e Hanit të Elezit, dhe ne tashmë jemi fitues të këtij çmimi, përmes së cilit kemi arritur që t’i zbatojmë 12 Parimet e Këshillit të Evropës në kuadër të Qeverisjes së Mirë Demokratike, vërteton se jemi në rrugën e drejtë qeverisëse, duke u bazuar në ligjet e Republikës së Kosovës dhe parimeve bazë të qeverisjes së shkëlqyer, e të cilat përfshijnë këto 12 parime:

1. Pjesëmarrje, përfaqësim dhe zhvillim i zgjedhjeve të drejta

2. Përgjegjshmëri

3. Efikasitet dhe efektivitet

4. Hapje dhe transparencë

5. Sundim i ligjit

6. Sjellje etike

7. Kompetencë dhe Kapacitet

8. Inovacion dhe hapje për ndryshim

9. Qëndrueshmëri dhe orientim afatgjatë

10. Menaxhim i Shëndoshë Financiar

11. Të drejta të njeriut, diversitet kulturor dhe kohezion shoqëror

12. Llogaridhënie

Komuna e Hanit të Elezit, përgjatë vitit 2022 i është nënshtruar hulumtimeve dhe vlerësimeve nga Shoqata Evropiane për Demokraci Lokale, të cilët edhe kanë identifikuar se komuna jonë ka zbatuar në përpikmëri të 12 Parimet gjatë këtij viti.

Të jemi fitues të Çmimit Evropian të Qeverisjes së Shkëlqyer na jep motivim që udhëheqësia jonë në përputhje me 12 Parimet të vazhdojë edhe më tutje, vit pas viti.

Të ngjashme