Komuna e Hanit të Elezit pjesë e fushatës botërore “16 Ditët e aktivizmit kundër dhunës me bazë gjinore”

Prishtinë | 26 Nën 2022 | 07:30 | Nga Ekonomia Online

Komuna e Hanit të Elezit pjesë e fushatës botërore “16 Ditët e aktivizmit kundër dhunës me bazë gjinore”.

Zyra për Barazi Gjinore në Komunën e Hanit të Elezit dhe Qendra për Punë Sociale, sot bënë hapjen e fushatës mbi “16 ditët e aktivizmit kundër dhunës me bazë gjinore”, e cila fillon me datën 25 Nëntor dhe përfundon me datën 10 dhjetor.

Hapjen e fushatës e bëri Kryetari i Komunës, Mehmet Ballazhi, i cili tha se “Dhuna nuk është asnjëherë zgjidhje dhe as zgjedhje. Çdokush që privohet nga e drejta e tij/saj për të jetuar një jetë të qetë, nuk duhet të heshtë dhe as ta fshehë, por të flasë e të raportojë dhunuesit/et”.

Kryetari gjithashtu bëri thirrje tek zyrtarët komunalë pjesëmarrës që të jenë zë i fuqishëm në ambientet përreth tyre, sepse vetëm ne që kemi një pozicion të pavarur ekonomik e social mund të bëhemi zëri i atyre që nuk kanë zë, sepse varësia ekonomike dhe sociale ua pamundëson që të reagojnë, dhe se këto “16 ditët” e simbolizuara duhet të jenë 365 ditët e realizuara për thirrje dhe aktivizim kundër dhunës.

Drejtori i QPS-së , Amir Bushi ligjëroi mbi atë se çfarë quhet dhunë, format e dhunës dhe statistika të përgjithshme mbi dhunën me baza gjinore për zyrtarët/et komunalë/e, megjithatë ai potencoi se statistikat jo domosdoshmërisht paraqesin realitetin, ngase gjendja reale mund të jetë edhe më e trishtë se sa statistikat.

Ndërsa, Vjosa Livoreka Rogaçi – Zyrtare për Barazi Gjinore, njoftoi të pranishmit për aktivitetet që do të zhvillohen në kuadër të fushatës mbi “16 ditët e aktivizmit kundër dhunës me bazë gjinore”, e ku përfshihen edhe ligjërata për dhe rreth grave, për të cilat do të ju njoftojmë gjatë ditëve në vijim.

Të ngjashme