Komuna e Hanit të Elezit asgjëson barnat e skaduara, ishin grumbulluar qe 10 vjet

Prishtinë | 25 Dhj 2022 | 15:36 | Nga Ekonomia Online

Drejtoria për Shëndetësi dhe QKMF-ja në Hanin e Elezit kanë përfunduar në tërësi procesin e asgjësimit të barnave me afat të skaduar.

Në një postim në facebook nga kjo Komunë, thonë se me iniciativën dhe vullnetin e kryetarit të Komunës së Hanit të Elezit, Mehmet Ballazhi, procesi ka filluar me kontaktin nga organet kompetente për sasinë e barnave të skaduara të cilat janë mbajtur në një depo, e që ishin grumbulluar për një dekadë.

”I tërë ky proces ka filluar me kontaktimin e organeve kompetente nga Nënkryetari në muajin mars dhe njoftimit të tyre rreth sasisë së madhe të barnave të skaduara që mbaheshin në një depo jashtë objektit të QKMF-së në mënyrë të pakontrolluar, më pas është bërë bartja e tyre në një nga depot e Shtëpisë së Kulturës për shkak të rrezikut të tyre e ku qasja e personave civilë tek to ka qenë zero”.

“Më pas, me prezencë dhe rekomandime të Inspektoriatit Farmaceutik të Kosovës është bërë seleksionimi, regjistrimi dhe matja e të gjitha këtyre barnave të skaduara një nga një, të cilat datojnë që nga viti 2012. Pra, të barnave që janë grumbulluar për një dekadë të tërë e që iu ka kaluar afati i përdorimit”, thuhet në njoftimin e Komunës.

Nga regjistrimet dhe matjet e bëra, del se kanë qenë gjithsej 2250 kg barna të skaduara, e për asgjësimin e të cilave, Komuna e Hanit të Elezit ka paguar shumën prej 7200 €.

Kjo javë e fundit e vitit 2022 përmbyllet me suksesin e një prej punëve më emergjente që duhej të kryhej shumë kohë më parë, theksohet në komunikatë.

Të ngjashme