Komuna e Qemajl Aliut jep tender për “shërbime të informimit”

Prishtinë | 29 Pri 2022 | 16:42 | Nga Ekonomia Online

“Çlirimtari” i Shtimes, Qemajl Aliu, ka shpenzuar 2 mijë e 490 euro përmes një tenderi me procedura të negociuara dhe pa publikim të njoftimit të kontratës.

Ngutia e Qemajl Aliut ishte që tenderi të jepej për “Shërbime për Informimin e Publikut”, gjë që në ligj askund nuk thuhet se parat e taksapaguesve mund të shpenzohen në këtë mënyrë.

Rregullat dhe Udhëzuesi Operativ për Prokurim Publik thotë se procedurat e negociuara dhe pa njoftim për kontratë mund të bëhen vetëm për raste emergjente, shkruan Demokracia.com.

Sipas këtij udhëzuesi, veprimet e Komunës së Shtimes në këtë rast rezultojnë të jenë shmangie prej parimeve themelore të çiltërsisë, transparencës dhe konkurrencës, pasi që kjo është procedurë shumë e jashtëzakonshme.

Kjo kontratë mund të bëhet vetëm në rastet kur rrethanat e arsyetojnë përdorimin e kësaj procedure.

“52.2 Sipas nenit 35 të LPP, autoriteti kontraktues përjashtimisht mund ta përdor procedurën e negociuar pa publikim të njoftimit për kontratë për dhënien e çdo lloji të kontratës, nëse rrethanat e arsyetojnë përdorimin e kësaj procedure”, thuhet tutje të këtë udhëzues, raporton Demokracia.com.

Demokracia.com ka kontaktuar me Kryetarin e Komunës së Shtimes, Qemajl Aliun, për ta pyetur se cila ka qenë arsyeja kaq e ngutshme për t’i shpenzuar këto mjete me procedura të parregullta, por ai është përgjigjur shkurtër, duke thënë se është në mbledhje.

“Kur ta mbaroj mbledhjen, flasim”, ka thënë Aliu përmes telefonit për Demokracia.com.

Kryetari i Shtimes është kontaktuar sërish më vonë për të marrë më shumë informacione, por i njëjti nuk e ka hapur më as telefonin.

Puna i është dhënë operatorit “Radio Zëri i Shtimes”, që ka nisur promovimin e komunës nga marsi i këtij viti dhe do ta përfundojë atë deri më 30 dhjetor 2022.

Të ngjashme