Komuna e Skenderajt anulon të gjitha aktivitetet përkujtimore të dëshmorëve

Prishtinë | 24 Mar 2020 | 17:53 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari, ka pritur sot në takim udhëheqësit e Shoqatave të Dala nga Lufta e UÇK-së, në të cilin takim bazuar në vendimet e Qeverisë dhe me qëllim të parandalimit të infeksionit COVID-19, u dakorduan që të anulohen të gjitha aktivitetet përkujtimore të dëshmorëve e martirëve në Komunën e Skenderajt të parapara të mbahen në këtë periudhë.

Me këtë rast Kryetari Jashari ka kërkuar nga qytetarët që të evitojnë tubimet e tilla të cilat sipas tij në situatën që gjendemi mund të rrezikojnë shëndetin e shoqërisë sonë.

Gjatë këtij takimi u dakorduan po ashtu që në Ditën e Çlirimit të komunës sonë, me 18 qershor të këtij viti të organizohet një Akademi Përkujtimore, në kujtim e nderim të të gjithë dëshmorëve e martirëve të komunës sonë.

“Sot nderojmë dëshmorët e martirët, jetësojmë amanetin e tyre duke qenë të bashkuar para sfidave që kemi, duke qenë solidar e duke u kujdesur për njëri-tjetrin, për të mirën e përgjithshme. Ky ishte ideali i të gjithë atyre që dhanë jetën për Kosovën”, ka vlerësuar Kryetari Jashari.

Kryetari Jashari ka bërë thirrje për të gjithë qytetarët që të vazhdojnë të zbatojnë masat për parandalimin e infeksionit COVID-19.

“Të dashur qytetarë, po bëhen 2 javë që nga shfaqja e corona virusit në Kosovë dhe fatmirësisht ende në Komunën tonë nuk kemi raste të infektuara, kjo edhe si rezultat i zbatimit të masave parandaluese që keni përfillur, andaj ju ftoj e kërkoj nga ju që të vazhdoni të qëndroni në shtëpitë tuaja, me më të dashurit tuaj, duke kaluar kohë së bashku me gjeneratat e reja e duke iu mësuar atyre atdhedashurinë e historinë tonë të lavdishme që kemi”, tha Kryetari Jashari.

Të ngjashme