Komuna e Vushtrrisë nderon veteranët e arsimit që kontribuuan “në vitet e okupimit”

Vushtrri | 07 Mar 2024 | 12:33 | Nga Natyra Salihaj Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Komuna e Vushtrrisë të enjten ka organizuar një akademi solemne për nder të 7 Marsit – Ditës së Mësuesit, duke vlerësuar lart rolin dhe kontributin e mësimdhënësve ndër vite, raporton Ekonomia Online.

Në këtë akademi, u përkujtuan edhe pronarët e shtëpive, të cilët kishin hapur dyert për të mbajtur mësim gjatë viteve 1990-të.

Me këtë rast, kryetari i kësaj komune, Ferit Idrizi, ngriti në piedestal kontributin e mësimdhënësve, tani, para luftës por edhe në periudhat e mëhershme, qysh nga vitit 1878 kur u hap shkolla e parë shqipe.

“Periudha e viteve të 90-ta, ishin ata që i dolën përballë një makinerie serbëve për të mbajtur arsimin shqip e që u pasua me vonë me rezistencën e armatosur të UÇK-së, që mundësoi çlirimin e Kosovës nën mbështetjen e aleatëve dhe shteteve të ShBA-së”, tha Idrizi.

I pari i Vushtrrisë, tha se këtë ditë e bën të veçantë edhe Nata e Zjarreve, Epopeja e UÇK-së, dhe sakrifica e familjes Jashari.

“Këtë ditë të veçantë e bën edhe 7 marsi i Natës së Zjarreve,  Epopeja dhe sakrifica sublime e familjes Jashari dhe komandantit legjendar Adem Jashari, që shkrepi shkëndijat që u përhapen në gjithë Kosovën dhe trojet shqiptare për t’i mobilizuar për luftën, krenarinë dhe pavarësinë si dhe këtë liri që e gëzojmë sot”, tha ai.

“Jemi këtu fal mundit gjakut dhe sakrificës, përpjekjes shekullore brez pas brezi të gjeneratave që nga viti 1878. Por sot në këtë ditë të veçantë kur ne shënojmë ditën e mësuesit nuk mund t’i kalojmë pa i falënderuar veteranët e arsimit, pishtarët e arsimit shqip që këtu i kemi edhe gjimnazistët, gjeneratën e parë të gjimnazit të Vushtrrisë dhe po ashtu nuk mund të kalojmë pa i përmendur të gjithë ata pronarë të shkollave të cilët në vitet e 90-ta nën okupimin serb i hapën dyert e shtëpive dhe e vazhduan mësimin. Puna e mësimdhënësve është fisnike e paçmueshme, edukimi duhet të forcohet, mësimdhënësit të qëndrojnë të bashkuar”, shtoi Idrizi.

“Këta mësimdhënës përgjatë atyre viteve sakrifikuan me burgje dhe ndëshkime por asnjëherë nuk u gjunjëzuan për arsimin shqip. Periudha e viteve të 90-ta, ishin ata që i dolën përballë një makinerie serbëve për të mbajtur arsimin shqip e që u pasua me vonë me rezistencën e armatosur të UÇK-së, që mundësoi çlirimin e Kosovës nën mbështetjen e aleatëve dhe shteteve të ShBA-së”, deklaroi ai.

Ndërsa, Drejtori i Arsimit në Vushtrri, Albanez Tahiri, tha se mësuesi është arkitekti i së ardhmes. Sipas tij, mësimdhënësit janë fanarë për nxënësit.

“Mësuesi është një dritare e hapur për një botë të mbyllur. Në këtë datë të veçantë të 7 Marsit shprehim respektin, admirimin për mësuesit tanë të cilët me kontributin e tyre japin formën dhe substancën e arsimit”, tha Tahiri.

Në fund, ai shprehi një falënderim për të gjithë mësimdhënësit duke e shënuar këtë ditë si moment reflektimi dhe njohje për të gjithë mësuesit në shoqërinë tonë.

Të ngjashme