Komuna e Vushtrrisë: Tatimi në pronë është ngritur si rezultat i vlerësimit të MF-së, e rëndon gjendjen e qytetarëve

Prishtinë | 25 Jan 2023 | 12:44 | Nga Ekonomia Online

Pas raportimeve se faturat e Tatimit në Pronë ka në shënuar rritje për këtë vit, dhe pas reagimeve të shumta për këtë , ka reaguar edhe komuna e Vushtrrisë.

Në një sqarim komuna deklarohet se nuk ka ngritur normë tatimore duke njoftuar se janë njoftuar nga Departamenti i Thesarit të Ministrisë së Financave se janë futur në sistem faturat e Tatimit në Pronë për vitin 2023.

“Për rritjen e çmimit të faturës për tatimin në pronë, njoftojmë të gjithë qytetarët se Komuna e Vushtrrisë nuk e ka ngritur normën tatimore, e cila është në kompetencë të komunës, por Ministria e Financave dhe Transfereve, Departamenti i Tatimit në Pronë, ka bërë rivlerësimin e pronave përkatëse dhe me këtë rast, sipas vlerësimit të ministrisë është rritur vlera e pronave, bazuar edhe në çmimet e tregut”, thuhet në reagimin e Komunës së Vushtrrisë.

“Për shkak të gjendjes së rënduar ekonomike të qytetarëve si pasojë e krizës ekonomike, por edhe të normës e lartë të inflacionit, vlerësojmë se kjo ngritje e çmimit të tatimit në pronë do të ndikojë edhe më shumë në rëndimin e gjendjes edhe ashtu të rëndë të qytetarëve të komunave të Republikës së Kosovës”, thuhet tutje në komunikatë.

Të ngjashme