Kongresmenët amerikanë kërkojnë mbështetje nga Mike Pompeo për Kosovën (Dokument)

Prishtinë | 01 Nën 2018 | 13:12 | Nga Ekonomia Online

Tetë kongresmenë amerikanë kanë kërkuar nga Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, mbështetje të vazhdueshme ndaj siç thuhet, “përpjekjeve të Serbisë drejt kërkimit të një zgjidhjeje paqësore, të qëndrueshme dhe një zgjidhjeje që do të arrihej përmes negociatave në marrëdhëniet me Kosovën”.

Ata në letër theksojnë se një pikë e tillë kthese diplomatike jo vetëm se do të ofronte mundësinë për të arritur paqen dhe stabilitetin afatgjatë në Ballkan, por edhe një herë do ta konfirmonte përkushtimin afatgjatë të Amerikës për sigurinë transatlantike.

“Nisma e Serbisë për pajtim me Kosovën jo vetëm sugjeron se zgjidhja e konfliktit është në horizont, por gjithashtu ofron një mundësi unike për të hapur rrugën për integrimin e gjithë rajonit të Ballkanit në shoqërinë perëndimore”, thuhet në letër.

Po ashtu, në të i bëhet thirrje Sekretarit të Shtetit që të vazhdojë t’i mbështesë këto përpjekje, të cilat kongresmenët i konsiderojnë “me rëndësi të madhe për paqen e së ardhmes dhe sigurinë e gjithë rajonit të Ballkanit”.

Kongresmenët mirëpresin deklaratën e fundit nga Këshilltari i Sigurisë Kombëtare, John Bolton, në të cilën ai thotë se “ne nuk do të bëhemi pengesë dhe nuk mendoj se dikush në Evropë të bëhet pengesë nëse të dyja palët në kontest arrijnë një marrëveshje reciprokisht të kënaqshme”, transmeton Klan Kosova.

Në këtë dokument poashtu theksohet se “është në interesin kombëtar të Shteteve të Bashkuara që të sigurohet se negociatat midis Beogradit dhe Prishtinës të kenë sukses”, duke shtuar se “për këtë arsye është e domosdoshme për SHBA-të në mënyrë proaktive të ndërmjetësojë kompromise në të dy anët, të jetë në gjendje për të arritur një marrëveshje të plotë në kuadër të procesit të Brukselit”.

Letra është firmosur më 31 tetor nga kongresmeni i Teksasit, Ted Poe, kongresmenin Emanuel Cleaver nga Missuri, Steve Stivers dhe Steve Chabot, Ohio, Scott Perry dhe Brian Fitzpatrick, Pensilvania dhe nga Kalifornia, Dana Rohrabacher kurse nga Karolina Jugore, Joe Wilson.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme