Konjufca – Molliqajt: Po ma kujton Hashim Thaçin kur fliste në Kuvend

Prishtinë | 01 Qer 2018 | 15:19 | Nga Donika Osmani Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Shefi i Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Glauk Konjufca dhe deputeti i PSD-së, Dardan Molliqaj kanë debatuar  me tone të ashpra kur po diskutohej shkarkimi i Aida Dërgutit si nënkryetare e Kuvendit.

Konjufca në emër të VV-së, ka thënë se kërkojnë shkarkimin e Aida Dërgutit jo për arsye personale në mes dy partive, por që sipas tij, PSD-ja është grupi parlamentar i katërt ndërsa VV-ja i tretë.

“Ne nuk kemi asgjë personale me Aida Dërgutin, por GP i cili është krijuar dhe që i takon Aida është grupi i 4 më i madh parlamentar, sipas nenit 67 pika 3 këtij grupi nuk i takon një nënkryetar në kryesinë e Kuvendit, e vërteta është kjo. Ky grup e mban një pozitë e cila i takon LVV-së, LVV-së po i shkelet një e drejtë kushtetuese duke i munguar përfaqësimi në kryesi të kuvendit ashtu siç e kërkon kushtetuta. A i takon VV-së një anëtar në kryesi, apo nuk i takon VV-së ajo pozitë, kështu do të votojmë sot, kjo është pyetja që na dërgon tek votimi”.

“Nuk do doja të vijmë te kjo situatë, do duhej GP i PSD-së të jepte dorëheqje vet. Qëndrimi i tyre ka qenë se ata nuk do ta lirojnë me vullnetin e tyre këtë pozitën e nënkryetarit. Grupi i katërt parlamentar ka nënkryetar, kurse grupi i 3-të nuk ka nënkryetar, kjo është shkelje e rëndë”.

Dardan Molliqaj, nga PSD-ja tha se VV-ja çështjen e shkarkimit të Aida Dërguit e ka politizuar. Ai ka kërkuar që kjo parti të respektojë Rregulloren e Kushtetutën.

Molliqaj tha se në VV kanë qenë për 12 vjet bashkë, por që nuk mund të durojnë edhe shumë.

“Proceduralisht jemi në rregull, politikisht se problemet që kanë qenë të një subjekti siç është VV të kuptohen tash këtu. Kushtetuta thotë se 3 grupet kanë të drejtë për nënkryetar, VV i ka taku e drejta e propozimet si grupi më i madh parlamentar. Tash PAN si koalicion që ka formuar Qeverinë. Nëse kryeministri e ndërron partinë, tash me shkarkuar a, jo kjo nuk ndodhë, nëse Kuvendi e rrëzon kryeministrin nuk është kryeministër më”.

“Le ta respektojë VV-ja rregulloren dhe Kushtetutën. Nëse Kuvendi e shkarkon Aida Dërgutin e respektojmë, nëse gjykata del me vendim thotë se Grupi Parlamentar i tretë i takon nënkryetari na japim dorëheqje. Por duhet të respektohet Kushtetuta. Kemi qenë 12 vjet bashkë, kemi bërë shumë të mirë bashkë dhe të këqija bashkë, por tash jemi të ndryshme politike, keni të drejtë me kërkuar shkarkimin cilido të jetë vendimi i gjykatës apo Kuvendit ne e pranojmë. Edhe me duruar nuk durojmë shumë Glauk”.

I shpejt ka qenë reagimi i Konjufca, kur Molliqajn e krahasoi me presidentin aktual Hashim Thaçi, raporton EO.

“Pasna harru qysh ka fol Hashim Thaçi në Kuvend, po më kujtohet me atë stilin ‘Albin për ty kam diçka po nuk po ta them se me shkuar deri në fund se din çka të gjen’, malli me paska marrë me ni”.

“Kur nënkryetarët votohen në Kuvend votohen formalisht se dihet kujt ju takojnë. Kurrë nuk e kam parë në Kuvend tu u votuar votat, por vetëm formalisht se ajo dihet”.

Kurse Molliqaj tha se VV po bashkëpunon me PDK-në duke pamundësuar qeverisjen në Prishtinë.

“Jam edhe Hashimi, Kadria, Ramushi  po shkoj herë te njëri herë të tjetri, je bo shërbëtor Glauk e po jep shërbime. Ju veç sa e bëtë një bashkëpunim me PDK në Prishtinë”.

Të ngjashme