Kontejnerët e stërmbushur e rrugët e papastruara, qytetarët e dëshpëruar me “Hortikulturën”

Prishtinë | 29 Mar 2022 | 07:43 | Nga Leonora Kolukaj Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kontejnerët e stërmbushur e rrugët e papastruara, po e dëmtojnë imazhin e ambientit e po krijojnë pakënaqësi tek qytetarët e Prishtinës. Disa prej tyre, fajin ia vejnë edhe qytetarëve të papërgjegjshëm, të cilët hedhin mbeturina vend e pa vend, raporton Ekonomia Online.

Kajtaz Raci për Ekonomia Online tha se nuk është aspak i kënaqur me mirëmbajtjen e pastërtisë, në qytetin e Prishtinës, po aq sa fajëson qytetarët se janë të pavetëdijshëm, po aq akuzon edhe kompaninë e pastrimit.

“Aspak s’jam i kënaqur veç edhe po shihet këtu terreni qysh është i papastër. Po sigurisht janë kompanitë ato që i rregullojnë, pak është edhe vetëdijesimi jonë. Faktikisht pa vetëdijesimin e qytetarëve është vështirë të mbahet edhe pastërtia, jo vetëm në këtë vend por duke filluar prej parqeve më të vogla deri në nivelin më të lartë”, ka thënë ai.

“Po kjo po shihet, këtu ma merr mendja vetë vetëdijesimi i qytetarëve është në nivelin më të ulët, përndryshe nëse vazhdojmë kështu edhe në qytete tjera e përreth, veç i rashë një shëtitje këtu me të vërtetë pash që çdo kund ka mbeturina jo të vendosura në vendin e duhur por ndoshta edhe pak koha fryma i ka tërheq por po shihet janë të stërmbushura, prandaj këtu kisha me akuzu edhe kompaninë, se kur stërmbushet kjo ai nuk ka ku me hedh”, tha ai.

E Lumnjie Ahmeti thotë se rrugët pastrohen rregullisht, por se mungon vetëdija qytetare.

“Unë jetoj në Prishtinë, gjithmonë kam jetuar në Prishtinë. Unë e shoh rregullisht i pastrojnë rrugët, po neve na mungon vetëdija qytetare. Secili shtëpinë e vetë e mban pastër si të del në hyrje  e len bërllogun te hyrja, çka me thënë tjetër”.

“Po pluhuri është në përgjithësi se ka shumë ndërtime dhe bartet prej vendeve të pashtruara, kështu që është pak problem me u marr edhe me pluhurin tërë kohën. Të reshura nuk ka, me ra shi i patron rrugët”

E Kushtrim Kuçi thotë se nuk është i kënaqur aspak.

“Nuk jam i kënaqur, hiq nuk jam. Jo a pe sheh edhe vetë, çka po sheh këtu të pastër”

“Me pastru valla, tjerët ja kanë dhënë votën, e dimë qysh janë ardh ata në pushtet po të paktën le ta bëjnë qat punë për çka paguhet nga taksat, prej neve, qatë le ta bënë veç. Çka ka premtuar ata, jo krejt ishalla. Mos me na bë fontanën atje po qeto sendet që kish mujt me i bë le ti bën”, u shpreh Kuçi.

Murat Bajrami për Ekonomia Online thotë se me pastrimin e rrugëve është i kënaqur por me mirëmbajtjen e kontejnerëve jo, pasi sipas tij ato janë të stërmbushur e ka mbeturina edhe përreth tyre.

“Me pastrimin e rrugëve jemi të kënaqur por me mirëmbajtjen e kontejnerëve jo sepse mbeturinat i bijnë deri afër nuk i qesin në kontejner. Kjo më pengon më së shumti dhe po ja jep një shëmti ambientit. Po njerëzit pak po e paguajnë obligimin që e kanë ndaj kompanisë se ata me të vërtetë e kryejnë punën e vetë qysh duhet”, thotë ai.

Të ngjashme