KPK-ja s’ka buxhet për realizimin e objektivave

Prishtinë | 30 Dhj 2016 | 14:29 | Nga

Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Blerim Isufaj, sot në konferencën e fundvitit ka pasqyruar punën, rezultatet dhe sfidat me të cilat është ballafaquar gjatë vitit KPK-ja.

Gjatë vitit 2016 KPK-ja është ballafaquar me sfidat kryesore si: Buxheti i pamjaftueshëm për të mbuluar një numër të obligimeve, sidomos ato për ekspertë dhe avokatë të angazhuar sipas detyrës zyrtare.

Në këtë drejtim Këshilli përmes kërkesës buxhetore ka kërkuar një buxhet prej rreth 13 milionë euro, ndërsa buxheti i aprovuar është rreth 9 milionë euro. Për shkak të këtij buxheti, Isufaj ka thënë se është e vështirë të realizohen disa nga objektivat e planifikuara.

“Integrimi i prokurorëve dhe personelit administrativ nga komuniteti jo shumicë. Specializimi i prokurorëve për trajtimin e krimeve karakteristike (korrupsioni, krimi i organizuar, krimi ekonomik)”, tha ai.

Isufaj ka thënë se mbështetur në kompetencat ligjore dhe bazuar në planin e punës të përcaktuar për vitin 2016, KPK-ja ka arritur që me sukses të plotë të realizojë disa procese shumë të rëndësishme për avancimin e mëtutjeshëm të sistemit prokurorial.

KPK ka mbajtur 17 mbledhje gjatë vitit 2016, ku fillimisht ka zgjedhur kryesuesin, zëvendëskryesuesin, ka emëruar anëtarët e komisioneve të përhershme si dhe ka zgjedhur drejtorin e sekretariatit.

Ndër sukseset dhe punët kryesore të realizuara nga KPK janë si në vijim:

Kompletimi i kornizës nënligjore

Gjatë vitit 2016, KPK-ja me sukses ka arritur të hartojë dhe aprovojë të gjitha aktet nënligjore si në vijim:

Rregullorja Nr.03 /2016 për Transferim dhe Avancim të Prokuroreve të Shtetit;  Rregullorja Nr.04 /2016 për Bashkëpunim Institucional; Rregullorja Nr.05/2016 për Njësinë Ndërlidhëse për Përgjimet;

Rregullorja Nr.06/2016 për Komunikim Publik; Rregullorja Nr.07/2016 për procedurën disiplinore për anëtarët e Këshillit Prokurorial të Kosovës; Rregullorja Nr.08 /2016 për Emërimin e Kryeprokurorëve.

“Javën e kaluar është miratuar edhe Rregullorja për Veprimtarinë Organizimin e Brendshëm dhe Sistematizimin e Vendeve të Punës në Sekretariatin e Këshillit Prokurorial të Kosovës. Kjo rregullore ka krijuar bazë të fortë për të ngritur nivelin e menaxhimit, administrimit dhe ofrimit efikas të shërbimeve administrative në Këshillin Prokurorial dhe Prokurorin e Shtetit”, tha ai.

Me këto është plotësuar në tërësi korniza nënligjore e sistemit prokuroria, e cila buron nga ndryshim plotësimi i Ligjit për KPK-në dhe Prokurorin e Shtetit i bërë në vitin 2015.

“Dëshiroj të theksoj faktin se tërë kjo kornizë nënligjore është hartuar me kapacitetet e sistemit prokurorial në mbështetje të partnerëve ndërkombëtar”, tha Isufaj.

Emërimi i kryeprokurorëve

Gjatë vitit 2016, KPK ka emëruar kryeprokurorët e Prokurorisë së Apelit, Prokurorisë Speciale, ndërsa pas një procesi të hapur dhe konkurrues është arritur përzgjedhja e 7 (shtatë)kryeprokurorëve të Prokurorive Themelore. Ky proces ka kaluar të gjitha fazat e përcaktuara me normativën ligjore të sistemit prokurorial.

“Përfundimi i këtij procesi tregon qartë se KPK ka përmbushur me sukses mandatin kushtetues dhe ligjor në sigurimin e bazës për administrim të Prokurorit të Shtetit”, tha ai.

Rekrutimi i prokurorëve të rinj

Pas një analize të nevojave, Këshilli Prokurorial, me 12 shkurt 2016 mori vendim për shpalljen e pozitave të lira për prokurorë të rinj në të gjitha prokuroritë themelore të Republikës së Kosovës.

Në procesin konkurrues aplikuan 184 kandidatë për prokurorë. Në bazë të kompetencave të tij, Këshilli themeloi komisionet “ad hoc” si Komisionin për Rekrutim dhe Komisionin për Rishqyrtim të cilët realizuan procesin e rekrutimit me sukses të plotë.

“Me këtë rast dua të theksoj se për herë të parë Këshilli ka organizuar me sukses provimin për prokurorë. Në përfundim të një procesi të hapur, konkurrues dhe të realizuar në mënyrë profesionale, Këshilli i propozoi Presidentit të Republikës së Kosovës dekretimin e 25 prokurorëve të rinj. Këta prokurorë javë më parë kanë filluar punën, përkatësisht trajnimet e parapara me ligj”, tha Isufaj.

Procesi i integrimit në veri

Këshilli gjatë vitit 2016 po ashtu ka udhëhequr procesin e rekrutimit të prokurorëve dhe personelit administrativ nga komunitetit jo shumicë siç është përcaktuar me Marrëveshjen e Brukselit për Drejtësi.

Si rezultat KPK i ka propozuar për dekretim Presidentit të Republikës 14 kandidatë për prokurorë.

Gjithashtu Këshilli ka rekrutuar me sukses 33 zyrtarë administrativë nga komuniteti jo shumicë, si pjesë e këtij procesi.

Për më tepër Këshilli ka siguruar edhe infrastrukturën e nevojshme për fillimin e punës në Prokurorinë Themelore të Mitrovicës.

Avancimi dhe transferimi i prokurorëve

Këshilli Prokurorial, gjatë vitit 2016 ka realizuar edhe procesin e transferimit dhe avancimit të prokurorëve në varësi të nevojave dhe kapaciteteve aktuale në sistem.

Në këtë proces janë avancuar 8 prokurorë (4 prokurorë nga Departamenti i Përgjithshëm në Departamentin e Krimeve të Rënda dhe 2 prokurorë në Departamentin për të Mitur të Prokurorisë Themelore të Prishtinës. Po ashtu 1 prokuror nga Departamenti i Përgjithshëm, ka kaluar në Departamentin për Krime të Rënda të Prokurorisë Themelore të Pejës. Gjithashtu 1 prokuror nga Departamenti i Përgjithshëm i Prokurorisë Themelore të Gjilanit, është avancuar në Departamentin për Krime të Rënda të Prokurorisë Themelore të Prishtinës).

2 prokurorë janë transferuar, 1 është transferuar nga Departamenti për Krime të Rënda në PSRK, 1 prokuror i transferuar nga Departamenti për të Mitur i Prokurorisë Themelore të Gjakovës, në atë të Krimeve Rënda të Prokurorisë Themelore të Prishtinës.

Në konkursin për prokurorë në Prokurorinë Speciale, Këshilli nuk ka arritur të rekrutojë prokurorët për vendet e lira për shkak të disa sfidave të karakterit ligjor. Për këtë qëllim, ne kemi vizituar të gjitha prokuroritë në përpjekje për të inkurajuar prokurorët që të aplikojnë për prokurorë të Prokurorisë Speciale.

Ne jemi optimist se gjatë fillimit të vitit 2017,pasi t’i ndërmarrim veprimet e duhura, do të plotësohen vendet e lira për prokurorë në Prokurorinë Speciale.

Disiplinimi

Lidhur me disiplinimin e prokurorëve mund të theksoj se Këshilli gjatë vitit 2016 ka shqyrtuar 25 raste të paraqitura ndaj prokurorëve. Pas një pune intensive të Komisionit Disiplinor, Këshilli ka shqiptuar masat në vijim:

Suspendim; Qortim; Zvogëlim i pagës për 30% për periudhën 3 mujore;  dhe Largim nga detyra (propozim për shkarkim).

Të ngjashme