Kryediplomati shqiptar del me thirrje për Luginën: Tregoni unitet, votoni masivisht për shqiptarët

Prishtinë | 16 Dhj 2023 | 14:02 | Nga Ekonomia Online

Kreu i diplomacisë shqiptare, Igli Hasani ka dalë me thirrje për shqiptarët që jetojnë në Luginë të Preshevës që të tregojnë unitet dhe pjesëmarrje masive në zgjedhjet e 17 dhjetorit.

Hasani ka thënë se duhet votuar për kandidatët shqiptarë, meqë përmes votimit të shqiptarëve votohet për të ardhmen më të mirë, të drejtat dhe ruajtjen e identitetit kombëtar dhe orientimit evropian.

Ministri i Jashtëm i Shqipërisë ka thënë se interesat kolektive duhet të dominojnë mbi interesat partiake.

“Të dielën, më 17 dhjetor, shqiptarët e Luginës së Preshevës do të votojnë për të zgjedhur deputetët shqiptarë për Kuvendin e Serbisë. I ftoj ata të dëshmojnë unitet dhe pjesëmarrje masive në zgjedhje.

Votoni kandidatët shqiptarë, pasi kështu do të votoni për të ardhmen tuaj më të mirë, në mbrojtje të të drejtave tuaja, ruajtjen e identitetit kombëtar dhe orientimit evropian. Mos hezitoni, ruani kompaktësinë dhe vini interesat kolektive mbi interesat partiake!

U uroj fitore kandidatëve shqiptarë”, ka shkruar Hasani.

Të ngjashme