Kryeministri Haradinaj në takim me bashkatdhetarët e Mbretërisë së Bashkuar

Prishtinë | 09 Kor 2018 | 08:07 | Nga
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, po qëndron për vizitë zyrtare në Mbretërinë e Bashkuar.
Ditën e parë të qëndrimit të tij në Londër, kryeministri Haradinaj e ka nisur me një takim me bashkatdhetarët nga Kosova dhe Shqipëria të cilët jetojnë dhe veprojnë në Mbretërinë e Bashkuar.
Gjatë takimit, kryeministri Haradinaj tha se ndihet mirë që takimin e parë në Londër po e zhvillon me bashkatdhetarët, duke i falënderuar ata për gjithë atë që kanë bërë për vendin, me theks të veçantë mësuesit dhe mësueset për punën e tyre në mësimin e gjuhës amtare fëmijëve që jetojnë në Mbretërinë e Bashkuar.
Kryeministri Haradinaj i informoi bashkatdhetarët për të arriturat dhe sfidat me të cilët po përballet Kosova si zhvillimi ekonomik, çështja e dialogut, transformimi i FSK-së, liberalizimi i vizave si dhe për angazhimin e Qeverisë së Kosovës në përmirësimin e infrastrukturës ligjore, lehtësirat tatimore, fuqizimin e rendit dhe të ligjit dhe krijimin e një klime të favorshme për investitorët potencialë, të huaj dhe vendorë.
“Si qeveri e vendit jemi duke bërë më të mirën për të përmirësuar jetën e qytetarëve tanë. Jemi të përkushtuar që t’ju ofrojmë kushte dhe mundësi që edhe ju bashkatdhetarët tanë që jetoni dhe veproni këtu në Mbretërinë  e Bashkuar të mund të investoni në Kosovë dhe të jeni të suksesshëm”, tha kryeministri Haradinaj para bashkatdhetarëve të cilët i falënderoi për forcimin e miqësisë ndërmjet Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar.
Kryeministri Haradinaj tha se diaspora ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm për Kosovën që nga lufta e deri më sot, dhe vazhdon të kontribuoj në forcimin e zhvillimit ekonomik të saj. “Do të jemi gjithmonë afër jush, do t’ju krijojmë lehtësira në mënyrë që ju të mund të investoni në vendin tuaj dhe për këtë kemi krijuar edhe Ministrinë e Diasporës dhe Investimeve Strategjike”, tha kryeministri Haradinaj.
Kryeministri Haradinaj vlerësoi se diaspora kosovare vazhdon të mbetet shtyllë e fortë ekonomike për vendin dhe pasqyrë e vlerave tona historike, kulturore e artistike në botë.
”Si Kryeministër i vendit, do të vazhdojë të punojë për ambient të përshtatshëm për investime direkte të huaja, me theks për investime nga diaspora jonë.
Bashkatdhetarët tanë në botë, janë vlerë e pakontestueshme e jona, vlerë që tregimin për Kosovën e kanë ndërtuar dhe vazhdojnë ta mbrojnë e pasurojnë në mënyrën më të mirë”, tha kryeministri Haradinaj.

Në këtë takim ishin të pranishëm përfaqësues nga komuniteti i biznesit, kulturës, miq anglezë të Kosovës, të cilët u shprehën të kënaqur me prezencën e kryeministrit Haradinaj, duke thënë se janë të gatshëm që potencialin e tyre ekonomik në të ardhmen ta orientojnë kah Kosova.
Kryeministri Haradinaj gjatë bashkëbisedimit me bashkatdhetarët nga Kosova dhe Shqipëria iu është përgjigjur interesimit të tyre për shumë tema, duke iu premtuar se Qeveria e vendit do t’iu qëndroj afër për ofrimin e zgjidhjeve që ata i preokupojnë.
Fjalë Kryesore:

Të ngjashme