Kurti për Demaçin: Jam krenar që punova me të, udhëzimet e tij na mbushin me përgjegjësi e vetëbesim

Prishtinë | 26 Kor 2023 | 09:23 | Nga Hana Lohaj Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti tha veprimtari dhe intelektuali Adem Demaçi, mbete njeri i jashtëzakonshëm dhe unik i popullit shqiptar, raporton Ekonomia Online.

Kurti pas homazheve te varri i tij në pesëvjetorin e vdekjes, pohoi se të gjithë janë krenarë që e njohën e që punuan me bacën Adem.

Madje sipas tij, udhëzimet e tij na mbushin me përgjegjësi dhe vetëbesim.

“Vendosëm lule të freskëta dhe bëmë nderime te varri i Adem Demaçit këtu në Prishtinë, bashkë me kryetarin e Kuvendit të Republikës, Glauk Konjufcën, me zëvendësin e bacës Adem si përfaqësues i përgjithshëm politik i UÇK-së në Prishtinë e vitit 1998-1999, ish të burgosurin politik Skënder Kastrati dhe kolegun tim nga zyra e UÇK-së, Milot Cakajn në përkujtim të një figure aq të jashtëzakonshme saqë unike të kombit shqiptar”.

“Sot u mbushën pesë vjet kur baca Adem shkoi në amshim dhe sigurisht që kemi pikëllim dhe mallëngjim që nuk e kemi më bacën Adem por edhe kemi krenari e mirënjohje që e patëm dhe e njohëm, që punuam dhe mësuam prej tij. Jeta dhe vepra e bacës Adem, idetë dhe udhëzimet tij na mbushin me përgjegjësi dhe vetëbesim njëkohësisht”.

Demaçi ishte veprimtar për kauzën kombëtare në kohën e Jugosllavisë dhe luftonte për barazinë e Kosovës me republikat e tjera.

Për angazhimin e tij politik, Adem Demaçi vuajti 28 vite me radhë në burgjet e Jugosllavisë. Pasi u lirua ai menjëherë vazhdoi aktivitetin e tij politik. Ai u quajt edhe Nelson Mandela i Evropës.

Adem Demaçi udhëhoqi Këshillin për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut (KMDLNJ) nga viti 1990 deri në vitin 1995. Në vitin 1991 u nderua nga Parlamenti Evropian me Çmimin Saharov.

Gjatë periudhës 1998-1999, kur mbaheshin takimet në Rambouillet për të ardhmen e Kosovës, ai ishte zëdhënës politik i UÇK-së. Ishte njëkohësisht kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës (2005-2007). Pasditen e 26 korrikut të vitit 2018, Demaçi ndërroi jetë.

LEXONI EDHE:

Të ngjashme