Mbledhja e Komisionit Hetimor Parlamentar në lidhje me menaxhimin e pandemisë është mbajtur pa praninë e medieve, raporton Ekonomia Online.
Afërdita Hoxha, u.d. e drejtoreshës së Departamentit Ligjor në Ministrinë e Shëndetësisë tha se dëshiron që mbledhja të mbahet e mbyllur.
Kryetarja e Komisionit, Mimoza Kusari-Lila tha se nga Hoxha kanë marrë më shumë informacione sa i përket bashkërendimit të aktivitete brenda ministrisë.
Ajo madje tha se kanë marrë sqarime edhe sa i përket nënshkrimit të vendimeve për lirim nga karantina nga ish-ministri Arben Vitia, e që sipas saj, janë marrë shembull vendet e tjera e rekomandimet e IKShPK-së.
Kusari-Lila ka shtuar se për shkak të shumë mangësive dhe boshllëqeve duhet që të plotësohet Ligji për sëmundjet ngjitëse.
“Në radhë sot kemi pasur në listën e dëshmitarëve dy dëshmitarë, ka qenë ushtruesja e detyrës së zyrës ligjore e ministrisë së Shëndetësisë dhe ish-udhëheqësi i zyrës për komunitete pra zyrës së kryeministrit i cili për arsye të paralajmëruara nuk ishte sot. Ndërsa nga udhëheqësja e zyrës ligjore të ministrisë së Shëndetësisë kemi bërë pyetje në raport me ligjshmërinë e vendimeve të ministrit Vitia. Kryesisht pyetjet kanë qenë në raport me vendimet që lidhen me periudhën e pandemisë. Pyetjet më tepër ishin të fokusuara gjatë vendimeve pse ish-ministri Vitia duhej të nënshkruante lirimin nga qendra karantinë. Përgjigjet ishin se ishin bërë në bazë të udhëzimeve dhe praktikave të mëhershme nga vendet e tjera, por gjithashtu edhe në bazë të udhëzimeve nga IKShPK-ja”.
“Përkundër faktit që ishte një ngarkesë shtesë për ish-ministrin, por gjithashtu edhe për faktin që se ka qenë hera e parë që Kosova është ballafaquar po edhe e tërë bota me një pandemi të kësaj natyre. D.m.th ka pasur një koordinim ose ndërveprim të mirëfilltë në mes të zyrës ligjore të kabinetit të ministrit që ka funksionuar grupi punues në kuadër të MSh-së dhe që nga ajo përvojë tashmë kërkohet që edhe më tutje të specifikohet në veçanti me versionin e ri që vjen të Ligjit për sëmundje ngjitëse, për faktin se ligji i kaluar për sëmundje ngjitëse është vërejtur se ka pasur mangësi ose boshllëqe të cilat është dashur që zyrtarë të ministrisë dhe natyrisht edhe qeveria t’i plotësoj me vendime të ndryshme”.
Në Komision nuk ka raportuar ish-udhëheqës i Zyrës për Komunitete në zyrën e kryeministrit të Republikës së Kosovës, Nenad Rashiq.
Por ai nuk ka ardhur në Komision pasi që është i infektuar me Covid. Sa i përket punës së Komisionit ajo tha se pret që të dorëzojnë raportin e detajuar, raporton EO.
“Është paraparë që zotëri Nenard Rashiq të vijë në Komision për javën e ardhshme besoj. Arsyet kanë qenë të pranueshme për mosardhjen e tij kësaj hera. Jemi në kohë pandemie dhe situatat po ndryshojnë. Njëjtë e kemi situatën edhe me shefin e zyrës së prokurimit në ministrinë e shëndetësisë të cili i urojmë shërim të shpejt. Ai është edhe zyrtarisht i infektuar me virusin andaj po shpresoj që kemi me mund brenda afatit të paraparë të kryej punët Komisioni hetimor i themeluar nga Kuvendi i Kosovës. Dhe të mund të dorëzojmë raportin përgatitor nga ekspert të angazhuar të Komisionit para seancës plenare”.
“Të them të drejtën nuk ka qenë një periudhë e lehtë. Kemi pasur ngarkesa në veçanti emocionale që lidhen me rastin e humbjes së jetës së të riut Agon Musliu. Pastaj në aspektin e vendimmarrjes ajo çka po mundemi me nxjerrë është bërë më e mira e mundshme të paktën nga perspektiva në rrethanat e kufizuara që kanë qenë. Mos të harrojmë që pak ditë pasi është shpallë emergjenca shëndetësore Qeveria është shkarkuar d.m.th ka qenë vetëm mekanizmi i qeverisë në detyrë, pa mekanizmin e Kuvendit të Kosovës”