Lajm i rëndësishëm për studentët e UP-së lidhur me provimet

Prishtinë | 26 Maj 2020 | 21:20 | Nga Ekonomia Online

Parlamenti Studentor, bashkë me shumicën e studentëve-senatorë dhe me rektorin e Universitetit të Prishtinës, Marjan Demaj, ka njoftuar se janë pajtuar që mbledhja e nesërme e senatit e paraparë që të mbahet në mënyrë virtuale, të shtyhet për të premten dhe të mbahet në mënyrë fizike.

Parlamenti Studentor i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” në pajtueshmëri me Këshillet Studentore të FM-së, FNA-së, FIEK-ut, FShMN-së, Fakultetit të Filologjisë, Fakultetit të Edukimit, Fakultetit Filozofik, Fakultetit të Arteve, FBV-së, FEFS-it dhe shumicës së studentëve senatorë, thotë se ka arritur në përfundim që janë vetëm dy opsione të pranueshme dhe prej tyre të vendoset për më të favorshmën.

“Vetëm kështu mendojmë se ruhet procesi i vlerësimit dhe përmbylljes së vitit akademik, pa u dëmtuar studentët. Meqë afatet tashmë të shpallura si: afati i prillit, afatet e absolventëve dhe vlerësimet periodike (kolokviumet) nuk janë mbajtur”, thuhet në njoftim.

Këto janë dy propozimet e Parlamentit Studentor:

Propozimi I

1. Provimet nuk lejohet që të organizohen para datës 15 Qershor,

2. Mbajtja e afatit plotësues të Qershorit deri me dy provime,

3. Mbajtja e afatit të rregullt të Qershorit,

4. Mbajtja e rregullt e afatit të Shtatorit,

5. Mbajtja e afatit plotësues të Shtatorit deri me dy provime,

6. Të shtyhet fillimi i vitit të ri akademik për dy javë në mënyrë që organizimi i provimeve të mos interferojë me vitin e ri akademik.

Propozimi II

1. Provimet nuk lejohet që të organizohen para datës 15 Qershor,

2. Mbajtja e afatit të rregullt të Qershorit,

3. Organizimi i një afati të plotë, të provimeve gjatë verës,

4. Mbajtja e afatit të rregullt të Shtatorit

5. Të ketë hapësirë të mjaftueshme kohor ndërmjet afateve,

6. Të shtyhet fillimi i vitit të ri akademik për dy javë në mënyrë që organizimi i provimeve të mos interferojë me vitin e ri akademik.

Arsyetim:

Përqendrimi maksimal i të gjithëve në luftë kundër COVID-19 deri sot, na obligon shmangien nga komoditeti i përditshmërisë, që të evitojmë bartjen e pasojave në kohë afatgjate.

Në këtë gjendje, studentët e gjejnë vetën të ndikuar nga probleme të shumëfishta:

– Ndikimi i pandemisë në shëndetin mendor,

– Mungesa e literaturës; shumica e studentëve banues të konvikteve e kanë pasur të pamundur çasjen në literaturën e tyre. Në anën tjetër, universiteti ka dështuar që ta sigurojë literaturën në mënyrë virtuale,

– Meqenëse konviktet vazhdojnë që të shërbejnë si karantinë, transporti do të jetë i vështirë dhe i mundimshëm për studentët që jetojnë jashtë Prishtinës, e në veçanti për ata që janë në vendet e largëta,

– Zëvendësimi me orar të ngjeshur i orëve dhe ushtrimeve të pambajtura laboratorike. Kjo nënkuptueshëm përjashton mundësinë e organizimit të provimeve para 15 qershorit.

Në ndërkohë, jemi në kontakt me Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, që viti i ri akademik të shtyhet nga tani, e të mos pritet deri kur të jetë bërë vonë. Poashtu, kontaktojmë me Këshillin Drejtues të UPHP që gushti në këtë vit, të mos jetë pushim kolektiv, mirëpo të shërbejë si kohë për organizim sa më të përshtatshëm të provimeve.

Për këto propozime, ka pasur diskutime të gjera mes studentësh po edhe me profesorë e staf akademik. Nuk ka qenë aspak i lehtë përafrimi i kërkesave duke pasur parasysh specifikat e llojllojshme të njësive akademike. Prandaj, ju lusim, që të vlerësoni objektivisht për këto propozime. Për këtë kompromis të palëve të shumta, ne pjesën tonë konsiderojmë ta kemi kryer përgjegjshëm. Tani, presim edhe mirëkuptimin tuaj.

Çdo kërkesë tjetër, është jolegjitime dhe si e tillë nuk paraqet qëndrimin e Parlamentit Studentor të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”.

Të ngjashme