Bashkimi Evropian dhe Qeveria e Kosovës lansuan sot raundin e 13-të të Programit të Bursave për Master të BE-së, i cili synon të përmirësojë punën e administratës publike dhe shërbimet që ajo ofron për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë duke ofruar arsim të lartë për nëpunësit e tanishëm dhe të ardhshëm civilë.
Programi i njohur si “Young Cell Scheme” po ndihmon në harmonizimin e funksionimit të administratës publike të Kosovës me standardet e BE-së, duke ndihmuar kështu Kosovën të përparojë në rrugën e saj të integrimit në BE.
“BE-ja fillimisht filloi të mbështesë arsimin e nivelit master të shërbyesve civilë në Kosovë në vitin 2004. Që atëherë, 364 nëpunës civilë u arsimuan në fushat që i konsideronte më të nevojshme Qeveria dhe u kontribua shumë në punën e administratës publike në Kosovë dhe në cilësinë e shërbimeve që ofron”, tha ambasadori i BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog.
“Me fillimin e raundit të 13-të të Programit të Bursave për Master të BE-së, i cili do të përfshijë së paku 40 studentë të rinj dhe nëpunës civilë, ne po vazhdojmë ta mbështesim Kosovën në përmirësimin e administratës së saj publike dhe në aspektin për ta bërë atë jopolitike dhe më profesionale, transparente dhe të përgjegjshme“.
“Ne inkurajojmë fuqishëm pjesëmarrjen e grave dhe komuniteteve joshumicë në program”, theksoi shefi i Zyrës së BE-së.
Investimi i BE-së në 12 të parat dhe tre raundet e reja të Programit të Bursave Master do të arrijë në 15.3 milionë euro. Qeveria e Kosovës ka filluar bashkëfinancimin e programit që nga raundi i 11-të dhe me zotimin për tre raundet e ardhshme do të ketë investime 2.5 milionë euro në arsimimin e nëpunësve civilë në universitetet e BE-së. Deri në vitin 2026, të paktën 470 persona nga Kosova duhet të përfitojnë nga programi.
Zëvendëskryeministri i Parë i Kosovës, Besnik Bislimi, tha se ky është një nga projektet më të rëndësishme që BE-ja financon në Kosovë.
“Qeveria e Kosovës mbetet e përkushtuar për avancimin e mëtejmë të procesit të reformave të administratës publike, duke e shfrytëzuar projektin si një nga mundësitë më të mira që siguron dhe promovon transparencën dhe meritokracinë në shërbimin civil. Këtë projekt e konsiderojmë unik, sepse mundëson arritjen e njëkohshme të disa qëllimeve”, tha zëvendëskryeministri Bislimi.
“Është investimi më i qëndrueshëm në kuadër të bashkëpunimit për zhvillim, sepse ndryshe nga shumë projekte të tjera që kanë në fokus asistencën nga ekspertiza e jashtme, mundëson fuqizimin e agjentëve lokalë të ndryshimit brenda vendit dhe për më tepër brenda sistemit qeverisës”.
Ai ka inkurajuar që në këtë program të aplikojnë sidomos gratë, duke siguruar se asnjë nuk do të mbetet pa punë.
“Ne arrijmë të përgatisim të rinjtë tanë në fusha specifike dhe sigurohemi që asnjëri të mos mbes pa punë. Këtë investim e shohim ndër investimet më të qëndrueshme. Inkurajoj të rinjtë sa më shumë të aplikojnë. Inkurajoj vajzat e reja të aplikojnë në këtë proces”, u shpreh Bislimi.
Diellza Mujaj përfituese e programit “Young Cell Scheme”, tregoi për eksperiencën e saj si pjesë e këtij programi.
Ajo tha se në Holandë ka mësuar shumë ku ka kryer edhe praktikë në Ministrinë e Integrimit, raporton EO.
“Shumë çaste stresi u kurorëzuan me sukses. Para se të nisem në studime, unë kreva dy muaj praktikë në Ministrinë e Integrimeve për ta kuptuar më mirë funksionimin e administratës publike. Më 2019 u nisa në Holandë dhe atje mësova shumë duke mos e anashkaluar edhe pjesen kulturore të cilën e përjetova si përfituese e ‘Young Cells Scheme’”.
“I inkurajoj të gjithë studentët e interesuar që të aplikojnë dhe të bëhen pjesë e këtij programi, i cili do të ju ndihmojë në zhvillimin e juaj profesional dhe kulturor”.
Programi i Bursave për Master i BE-së i obligon përfituesit e tij që të punojnë në një nga institucionet e Kosovës për të paktën tre vjet pas diplomimit. Tri raundet e ardhshme të programit do të zbatohen nga Universiteti Aristoteles i Selanikut nga Greqia, dhe Instituti Kombëtar i Shërbimit Publik, nga Franca, në bashkëpunim të ngushtë me Qeverinë e Kosovës.