LVV dhe alternativat e saj fitores në zgjedhjet e 14 shkurtit 2021

Prishtinë | 28 Shk 2021 | 15:13 | Nga Milazim Krasniqi

Fitorja dërrmuese e ka vu LVV në sfida dhe potencialisht edhe në vështirësi të reja.

  1. Tash LVV nuk ka pas kujt të fshehet, kur do t’i duhet të shmang presionet dhe kompromiset e ndryshme. (Fjala vjen, qeveria Mustafa, për mosmiratimin e demarkacionit me Malin e Zi, fshehej pas protestave të LVV dhe aleatëve të saj!) Tash përgjegjësia e LVV është e plotë. Presioni i Erdoganit në njërën anë dhe i Netanjahut në tjetrën, për selinë e ambasadës në Jerusalem, është vetëm fillimi i një procesi të rëndë në të cilin do të gjendet LVV dhe lideri i saj.
  2. Meqë është adresë e vetme, LVV do të jetë nën presion të koncentruar për arritjen e një marrëveshjeje dosido me Serbinë, brenda dy viteve të ardhshme. Rreziku është që marrëveshja të bëhet edhe më e keqe, si presion hakmarrës mbi LVV dhe Kurtin personalisht. Pra, rreziku është që në pakon e presioneve mbi LVV e Kurtin, mund ta dëmtohet Kosova, deri në kufijtë e shndërrimit të saj në shtet diskufunkional, ndër të tjera, për ta dëmtuar LVV dhe Kurtin.
  3. Nëse Edi Rama rikonfirmohet kryeministër edhe në zgjedhjet e 25 ptillit 2201, mund të hyjmë në një proces të gjatë rivalitetesh ndërmjet Ramës e Kurtit, që në instancë të fundit do t’i dëmtojë raportet ndërmjet Shqipërisë e Kosovës.
  4. LVV dhe Kurti kanë shprehur tendenca që të prishin ekuidistancën politike të Kosovës me Maqedoninë e Veriut, gjë që mund të jetë problem shtesë i Kosovës në raport me SHBA e NATO-n. LVV e Kurti kanë kohë ta korrigjojnë këtë qasje. Nëse nuk e korrigjojnë, mund të ballafaqohen me inskenime problemesh serioze brenda Kosovës, që të mos u bie ndërmend për ndërhyrje në fqinjësi. (Ashtu funksionojnë të mëdhenjtë, ata që bëjnë ligjin në rajonin tonë.)
  5. Forcimi i ekstremizmit fetar të grupeve të infiltruara në LVV, mund të ndodhë nën velin e triumfalizmit politik. Nëse lejohet ai zhvillim, ka rrezik që Serbia mund të marrë autorizime joformale për disiplinimin e Kosovës dhe të Kurtit. Disiplinimi në atë rast nuk bëhet vetëm me presionet dhe diversionet e Listës Serbe, po edhe me presione të tjera direkte të shtetit serb, në drejtim të stabilitetit të Kosovës.
  6. Cila është zgjidhja? Zgjidhja është rugovizimi i Kurtit. Pra, shndërrimi i Kurtit në një partner të besueshëm të SHBA-së e NATO-s për politikat e brendshme dhe në faktor stabiliteti në rajon. Kosova nuk ka mundësi ta mbajë mbi supet e veta gjithë atë bagazh militantizmi, të cilin e kanë lancuar ndër vite LVV dhe Kurti, deri sa ishin në opozitë. Tash kanë përgjegjësi të plotë për çdo fjalë e për çdo veprim.

Të ngjashme