LVV në Shtime kërkon seancë të jashtëzakonshme për çështjen dhe sigurinë e të rinjve

Prishtinë | 11 Pri 2018 | 11:48 | Nga

Lëvizja VETËVENDOSJE! Qendra në Shtime, është thellësisht e shqetësuar për ndodhitë e muajve të fundit, që atakojnë direkt jetën dhe shëndetin e të rinjve tanë. Vetëm muajt e fundit, kemi pasur disa raste ku të rinjtë e qytetit tonë ishin viktima të dukurive të dëmshme shoqërore e ndër to edhe raste me pasoja fatale.

Rinia në Shtime përballet me një varg problemesh të ndryshme, të cilat me pas i shtysin drejt rrugëve devijuese. Shqetësuse për të rriturit dhe shkatërruese për të rinjtë, është përdorimi i drogave në shkolla dhe mjedise publike. Para gjithë kësaj skene të shkatërrimit të rinisë sonë, komuna del të jetë vetëm spektatore.

Lëvizja VETËVENDOSJE! Qendra në Shtime, përmes asambleistëve të saj, i ka kërkuar kuvendit komunal mbajtjen e një seance të jashtëzakonshme, për të diskutur vetëm për çështjen e të rinjve dhe të sigurisë, por një nismë e tillë fatkeqësisht e çuditërisht, nuk ka marrë përkrahje nga kuvendi. Një neglizhencë e tillë është jashtëzakonisht shqetësuese. Ndarja e buxhetit dhe subvencioneve për kulturë rini dhe sport, është qesharake dhe nuk ndikon aspak në përmirësimin e jetës së tyre dhe këtë “traditë” komuna e vazhdon akoma, duke shkaktuar kështu shuarjen e aktiviteteve sportive dhe kulturore.

Ne si Lëvizje kërkojmë, që përveq një diskutimi të gjerë për këtë problematikë, po ashtu ndërmarrjen e masave që do ndikonin në parandalimin e kësaj dukurie si:

-ndihma financiare nga komuna përmes rritjes së buxhetit dhe subvencioneve për kulturë, rini dhe sport

-bashkëpunim serioz mes komunës dhe policisë në njohjen dhe parandalimin e problemit

-krijimi i kushteve nga komuna që të rinjtë të kenë ambiente ku zhvillojnë aktivitete të ndryshme kulturore, sportive, argëtuese etj

-bashkërendimi i shkollave dhe komunës per angazhimin e të rinjëve në aktivitete vullnetare apo me pagesë dhe angazhim serioz në qasjen e të rinjëve në punësim

-kërkimi i donacioneve të huaja që do të dedikoheshin enkas për fuqizimin e rinisë

-monitorimi i shtuar mes prindërve dhe mësimdhënësve dhe njofitmi mes tyre për problemet e të rinjëve të shfaqura në shkollë apo shtëpi

-kontrolle të shpeshta dhe të rrepta nga policia dhe inspketorët komunal në ambiente të dyshimta

-intersimi dhe bashkëpunimi i shoqërisë shtimjane në përgjithësi me akterë të ndryshëm në shpëtimin e rinisë sonë.

Të ngjashme