Drejtori ekzekutiv i Qendrës Kosovare për Paqe Labinot Maliqi, ka kërkuar shfuqizimin e udhëzimit administrativ që ndalon uniformën fetare në shkolla, raporton Ekonomia Online.
Në një konferencë për media pas përjashtimit të një nxënëseje në Pejë për shkak të bartjes së shamisë, Maliqi ka kërkuar që ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, të ndërmarrë masa ndaj këtij institucioni arsimor.
Ai ka thënë se një nxënëse është përjashtuar nga shkolla “Bedri Pejani” në Pejë, me vendim të drejtorit të shkollës.
Maliqi thotë se një vajzë me shami nuk përbën kërcënim për askënd, që t’i mohohet e drejta e arsimit.
“Jemi në javën e katër që 18-vjeçarja nga gjimnazi “Bedri Pejani” në Pejë ka mbetur në shtëpi, pasi ajo u largua nga shkolla më 2 shtator, për shkak të bartjes së shamisë. Ky largim u bë pa ndonjë vendim zyrtar. Një vajzë me mbulesë nuk e kërcënon Pejën e asnjë person tjetër”, ka thënë Maliqi.
Tutje ai ka thënë se këto ballafaqime janë që nga viti 2010, dhe kërkon nga shteti një demokraci më të avancuar.
“Që nga viti 2010 kemi qenë të ballafaquar me pasojat e ndalimit të bartjes së uniformës fetare në shkolla. Një ndalesë që buron nga një udhëzim administrativ i ministrisë së Arsimit. Ky udhëzim më shumë ka shkaktuar huti dhe kunfuzion sesa ndihmë. Ky udhëzim, pavarësisht qëllimit të tij, ka dëmtuar të drejtat e njeriut në Kosovë. Ne e respektojmë këtë udhëzim, sepse këtë shtet kemi, por duam një demokraci më të avancuar sesa kjo që e kemi”, u shpreh ai.