Malisheva përgatitet për përballje me ethet hemoragjike

Malishevë | 31 Maj 2022 | 15:09 | Nga Ekonomia Online

Komuna e Malishevës ka bërë të ditur të martën se deri tash nuk është shënuar asnjë rast me ethe hemorragjike në këtë komunë.

Në një takim pune që është mbajtur të martën, u bë e ditur se në QKMF-në në Malishevë, është rritur niveli i gatishmërisë dhe janë ndërmarrë të gjitha masat për trajtimin e rasteve të thumbimit nga rriqrat, të cilët edhe janë bartës të virusit të EHKK.

“Në këtë takim të shtabit komunal, u paraqit edhe shqetësimi i përbashkët i problemit të dezinsektimit të zonave endemike, procedurë e cila është filluar nga ana e Komunës së Malishevës, mirëpo lënda ka mbetur e pa trajtuar nga ana e Organit Shqyrtues të Prokurimit në nivel qendrorë dhe si pasojë, deri më tani është pamundësuar dezinsektimi i zonave endemike. Po ashtu problem tjetër është edhe mos realizimi i masës së repelimit të kafshëve, si njëra nga masat më efektive në luftimin dhe parandalimin e EHKK, e cila do të duhej të realizohej nga ana e Ministrisë së Bujqësisë”, thuhet në njoftimin e komunës së Malishevës.

Shtabi Komunal për luftimin dhe parandalimin e EHKK-së, ka kërkuar nga Ministria e Shëndetësisë, si drejtuese e Këshillit Ndërministror, pastaj nga Ministria e Bujqësisë dhe AUV-i, që urgjentisht të zbatojnë strategjinë nacionale për luftimin dhe parandalimin e EHKK-së dhe të bëjnë dezinsektimin e zonave endemike dhe repelimin e kafshëve.

Malisheva njihet si zonë e rrezikuar nga rriqrat, që shkaktojnë ethet hemoragjike.

Të ngjashme