Manipulimi i zgjedhjeve në Serbi – 154 votues u paraqiten me adresë nga i njëjti objekt

Prishtinë | 04 Jan 2024 | 11:23 | Nga Ekonomia Online

Zgjedhjet e fundit që u mbajtën në Serbi, më 17 dhjetor, u vlerësuan problematike nga vëzhguesit ndërkombëtarë ndërsa u kontestuan nga opozita e shoqëria civile në këtë shtet.

Në mes të shumë parregullsive që u përmendën, ishte edhe ajo për shkuarjen e një numri të madh të qytetarëve nga Republika Sërpska në Bosnjë, për të votuar në Beograd e qytetet tjera të vendit që drejtohet nga Aleksandar Vuçiq, ish-partia e të cilit, SNS, edhe i fitoi këto zgjedhje.

Një nga dëshmitë e forta të shkuarjes së njerëzve nga jashtë për të votuar në Serbi ishte ajo se 154 zgjedhës u paraqitën për të votuar nga një adresë e njëjtë dhe e vetme – “Kraljevica Marka” nr 9, në një vendvotim në Beograd për zgjedhjet lokale të këtij qyteti.

Këtë e ka bërë të ditur subjekti opozitar në Serbi, Partia për Liri e Drejtësi. Po ashtu, sipas saj, 121 votues u lajmëruan me adresën e vetme “Kraljevica Marka” nr 9 edhe për zgjedhjet nacionale.

“Ky me të vërtetë ishte një rekord”, thuhet në një kumtesë të këtij subjekti politik.

Media serbe “Nova” raporton se objekti që ndodhet në këtë adresë është pronë e një anëtari me ndikim të partisë SNS së Vuçiqit, ish-hendbollistit Vladimir Mandiq.

Ky i fundit, siç raporton mediumi, është arrestuar dy herë. Fillimisht në Mal të Zi me akuzat për tentim vrasje, por që është liruar më pas. Herën e dytë ai është kapur në një fshat në rajonin e Banjallukës, në Republika Sërpska të Bosnjës.

Të ngjashme