Mbrojta kërkon nga shkalla e dytë lirimin e aktivistëve të VV-së të dënuar për terrorizëm

Prishtinë | 22 Shk 2018 | 11:43 | Nga

Avokati Tomë Gashi, i cili mbron deputetin e VV-së, Frashër Krasniqi, ka deklaruar se shkalla e dytë e ka rastin që të përmirësojë padrejtësinë që e ka bërë shkalla e parë dhe t’i lirojë të akuzuarit.

Ai ka kërkuar që t’u ndërpritet atyre masa e paraburgimit.

Ndërkaq, Frashër Krasniqi, ka deklaruar se çdo dëshmi e dëshmitari është e ndikuar nga policia sipas deklaratës së vetë dëshmitarëve. Ka thënë se gjithçka ka qenë e planifikuar politikisht.

Ramiz Krasniqi, avokati i Atdhe Arifit sulmoi aktgjykimin e themelores, duke thënë se ai nuk duhet të mbetet në historinë e drejtësisë kosovare.

“Ankesa ma e mirë ndaj këtij aktgjykimi është vetë aktgjykimi dhe si i tillë një aktgjykim i tillë nuk duhet të mbetet në analet e historisë së drejtësisë kosovare. Ky është një aktgjykim cinik, i vrazhdët, i porositur dhe qartazi i pambështetur në asnjë provë”, tha Krasniqi, duke kërkuar lirimin e aktivistëve.

Emrush Kastrati, avokati i Egzon Halitit tha se gjykata themelore ka ardhur në përfundim shumë të gabuar.

“Qartësimi i fotografive nuk është bë, ADN nuk është përputhë me asnjë nga të akuzuarit, grafologjia e as forenzika nuk e konfirmojnë fajësinë e te akuzuarve.Gjykata e shkallës së parë ka ardhë në përfundim shumë të gabuar”, tha avokati Kastrati.

Edhe Ali Beka, avokati i Adea Batushës kundërshtoi aktgjykimin e themelores për katër aktivistët.

Nuk është vlerësuar saktësia e provave kundërthënëse ne aktgjykim.Në vend se aktgjykimi me i vlerësu provat materiale, ai merret me opinione, komente, e herë herë madje edhe me komplimente”, tha avokati Beka.

Në anën tjetër, të akuzuarit e kanë kundërshtuar ankesën e prokurorisë, duke e konsideruar të pabazuar.

Të akuzuarit, përmes ankesave të tyre kanë deklaruar se ky proces gjyqësor është i montuar politikisht. Se ky skenar është i përgatitur nga organet e pushtetit. Ata i kanë kërkuar Gjykatës së Apelit që ta hedh poshtë aktgjykimin e shkallës së parë, si dhe t’i shpall të pafajshëm. Kjo, për faktin se gjatë procesit gjyqësor të zhvilluar vitin e kaluar, nuk janë vërtetuar pretendimet e prokurorisë dhe se të gjitha provat e prezantuara, kanë qenë shfajësuese.

Pos kërkesës për hedhjen poshtë të aktgjykimit të shkallës së parë, të akuzuarit kanë kërkuar që në rast se nuk nxirret aktgjykim lirues, së paku të kthehet procesi në rigjykim.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme