Montgomery pas takimit me Jasharajn: Sindikata dhe MAShT të bashkëpunojnë më shumë

Prishtinë | 07 Qer 2023 | 16:05 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Nënkryetari i Federatës së Mësuesve të ShBA-së, Dan Montgomery, me bashkëpunëtorët e ti, është takuar me anëtarë të Këshillit Drejtues dhe Kryesinë e Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës së Kosovës (SBAShK), raporton Ekonomia Online.

Pas takimit, nënkryetari Montgomery tregoi se një ndër temat që diskutuan me kryetarin e SBAShK-ut, Rrahman Jasharaj, ishte greva në arsim. Prandaj, sipas tij, është shumë i rëndësishëm bashkëpunimi i sindikatave me institucione, teksa tha se dialogu mes tyre duhet të jetë reciprok.

“Është kënaqësi për mua, është hera e parë që jam në Kosovë. Ishte kënaqësi që takohem me zotëri Jasharajn. Ai na ka treguar për sfidat që kanë pasur, për grevën, e cila ka zgjatur shumë dhe për ta kuptuar situatën ku ata (SBAShK) ndodhen sot”.

“Pikërisht në takimet që i patëm sot në Ministrinë e Arsimit dhe me Komisionin për Arsim e përmenda disa herë bashkëpunimin në këtë rast sepse dialogu social është se do ta ndihmojë situatën e sindikatave lidhur me sfidat e tyre. Siç e dini edhe dialogu social nuk mund të vijë vetëm nga njëra anë, ajo duhet të jetë e dyanshme”, tha ai.

Ndërsa kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, tregoi për takimin që kanë pasur me ministren e Arsimit, Arbërie Nagavci.

“Na solli mesazhe të forta nga sindikata amerikane. I panë kushtet tona dhe këta kanë qenë në të kaluarën shumë të informuar. I thashë edhe zonjës Nagavci që pas kësaj vizite, që më në fund po takohemi, uroj që në të ardhmen të kemi më shpesh këso takimesh. Kanë kaluar 7, 8 muaj që nuk kemi pasur asnjë takim, mbase nga inati për grevën që e kemi mbajtur”, tha Jasharaj.

Të ngjashme