PDK-ja akuzon qeverisjen e LDK-së në Lipjan për gjendjen e rëndë në objekte shkollore

Prishtinë | 14 Tet 2020 | 16:57 | Nga Ekonomia Online

Partia Demokratike e Kosovës, dega në Lipjan nëpërmjet një komunikate ka kritikuar qeverisjen lokale për gjendjen e rëndë nëpër objekte shkollore dhe për punësime në këtë sektor mbi baza familjare e politike.

PDK-ja ka njoftuar se ekipet e tyre kanë vizituar disa objekte shkollore për të parë gjendjen teknike të tyre dhe kushtet në të cilat po mësojnë nxënësit dhe fëmijët.

“Në shumë raste kemi vërejtur objektet shkollore janë në gjendje të rëndë dhe se nuk i plotësojnë as kushtet minimale për zhvillimin e procesit mësimor. Ne si opozitë kemi kërkuar edhe më herët nga qeverisja e LDK-së që të bëjë investime në përmirësimin e kushteve teknike në objektet shkollore, por kërkesat tona nuk janë marrë parasysh vetëm për shkak të bindjeve politike”, thuhet në komunikatë.

Sipas tyre është shqetësuese që në shumë shkolla nyjet sanitare janë në gjendje të rëndë dhe se fëmijët mund të marrin ndonjë sëmundje epidemike.

“Duke e parë këtë gjendje edhe në të kaluarën ne e kemi ngritur zërin nga këndi qytetar dhe asnjëherë nga këndi kritik opozitar. Pra, qytetar të nderuar, ne së shpejti do t’ia adresojmë drejtorisë së arsimit në komunë një listë se cilat pajisje dhe në cilat shkolla saktësisht duhet të intervenohet. Shumë objekte kanë nevojë për riparim të nyjeve sanitare, për ndërrim të dyerve, dritareve, për riparim të mureve, për inventar dhe një varg riparimesh të tjera të cilat ndikojnë drejtpërdrejtë në procesin mësimor”, thuhet më tej në komunikatë.

Po ashtu, opozita ka bërë me dije se gjatë vizitave të tyre kanë vërejtur se shumë objekte shkollore nuk kanë as kabinete të kimisë, biologjisë apo të informatikës gjë që është shumë e rëndësishme për një proces më cilësor.

“Ne konstatojmë se kjo qeverisje ka për qëllim vetëm punësimin e militantëve dhe familjarëve të vet në sektorin e arsimit, prandaj, duke e parë gjendjen e rënduar në objektet shkollore tregon më së miri interesimin e komunës për ta rritur cilësinë e mësimit në komunën e Lipjanit”, thuhet në fund të komunikatës.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme