Arbërie Nagavci: Do të mbajmë mbajmë konferenca të rregullta, pasi vëmendja për arsimin është e madhe

Prishtinë | 24 Shk 2023 | 13:38 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, ka  prezantuar punën e ministrisë që ajo udhëheq gjatë dymujorit te parë të këtij viti, raporton Ekonomia Online.

Ajo ka përmendur disa të arritura të Ministrisë, duke përmendur edhe fillimin e ndërtimit të Fakultetit të Shkencave Natyrore, Ligjin për Arsimin e Lartë, përurimin e disa objekteve të reja shkollore, si dhe ratifikimin e 3 marrëveshjeve ndërkombëtare nga Kuvendi.

Sipas Nagavcit, konferencat nga kjo ministri janë shpeshtuar sepse vëmendja në arsim është e madhe.

“Me të drejtë kemi caktuar konferenca të rregullta sepse vëmendja për çështjet e arsimit është e madhe”.

Teksa foli për vënien e gurthemelit të  objektit të ri të FSHMN-së ajo tha se ky fakultet deri tani ka funksionuar në hapësira jo të mjaftueshme dhe me kushte jo të mira të punës.

“Dje bashkë me kryeministrin dhe përfaqësues të tjerë kemi vendosur gurthemelin për ndërtimin e Fakultetit të Shkencave Natyrore. Për informatën tuaj ky objekt kap vlerën prej 8.9 milionë euro, një pjesë e vogël është bashkëfinancuar nga Universiteti i Prishtinës me mjetet e buxhetit të Republikës së Kosovë”, tha Nagavci.

“E dini se e kemi finalizuar ligjin për arsimin e lartë që tash gjendet në Kuvendin e Kosovës.  Ajo që ne kemi paraparë për këtë ligj  është se siguron vendimmarrje të pavarur dhe të pa ndikuar. Gjithashtu me këtë ligj përcaktohet financimi i institucioneve publike sipas përformancës. Në kuadër të përmirësimit të infrastrukturës, angazhimi është në disa fusha”.

Ajo tha se kanë përuruar disa objekte të reja shkollore dhe njoftoi se javën e ardhshme do të inaugurohet një çerdhe në Gjilan.

“Kemi përuruar dy objekte të reja shkollore. E kemi edhe një objekt tjetër, deri sa javën e ardhshme do të jemi ne një fshat të Gjilanit ku do ta inaugurojmë një çerdhe”.

“Kemi edhe dy marrëveshje ndërkombëtare të Brukselit që u votuan dje në Kuvend të cilat mundësojnë lehtësira për studentët tanë. Ne jemi vendi i dytë që i kemi ratifikuar këto marrëveshje që janë shndërruar në ligje.”

“Kemi finalizuar dokumente të tjera. Kemi finalizuar gjatë këtij dy mujori dy udhëzime administrative për mësimdhënësit, i cili ka për qëllim përmirësimin e licencimit të mësimdhënësve”.

Gjatë konferencës, e para e Ministrisë së Arsimit njoftoi se në muajin prill do të zhvillohet një konferencë kombëtare për vajzat dhe gratë në fushat e shkencës, teknologjisë, inxhinierisë dhe matematikës (STEM).

“Në prill do të zhvillojmë një konferencë kombëtare për vajzat dhe gratë në fushat STEM duke pasur si synim që përtej mbështetjes financiare që kemi dhënë për vajzat dhe gratë që janë në fushat STEM me buxhetin e ndarë për këtë vit janë rreth 3 milionë euro me të cilat ne kemi mbështetur vajzat dhe gratë për studim në fushën STEM”.

Ajo gjithashtu tha se po synojnë edhe organizimin e kësaj konference me qëllim që të ketë konferencë vjetore, ku do të mundësohet edhe rrjetëzimi i vajzave dhe grave që studiojnë dhe punojnë në fushat STEM, promovimin e fushave STEM në të gjitha nivelet e arsimit dhe krijimin e mundësive edhe për punë praktike për studentet, vajzat e gratë që studiojnë në këto fusha, paralelisht edhe me mentorimin  e zhvillimin profesional të tyre.

Ajo ka thënë se nga 240 aplikantë për inspektorë të arsimit, vetëm 39 e kanë kaluar rishikimin administrativ, për të vijuar në fazën e dytë të rekrutimit.

“Konkursi për rekurtimin e 20 inspektorëve ka qenë i hapur në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike. 240 aplikantë kanë qenë me aq sa i kemi marrë të dhënat nga Ministria, prej tyre në selektimin e parë ministria i ka identifikuar rreth 39 kandidatë të suksesshëm.

Tutje Nagavci ka thënë që ata do të insistojnë që vetëm kandidatët që janë më të mirët  dhe që i plotësojnë kriteret do të jenë inspektorë të arsimit.

“Duhet të sigurohemi që nuk ka pasë asnjë ndërhyrje dhe korruptim të procesit. Shumë shpejtë do të kemi vendimin final nga ministria, se a ka pasë ndonjë shkelje. Ne e kemi paraparë për këtë vit punësimin edhe të 20 inspektorëve. E di që është tepër vonë dhe neve si ministri mungesa e inspektorëve na krijon mangësi të shumta, pengesa dhe vështirësi në punë, por në anën tjetër nuk mund të lejojmë që të kemi procese që na përfundojnë me kuadër jokredibil dhe jokompetent”, tha Nagavci.

Të ngjashme