Ndryshim substancial i politikës së SHBA-së karshi Kosovës: Korrigjimi i kufijve OK për ne, nëse ju pajtoheni

Prishtinë | 24 Gus 2018 | 19:27 | Nga

Nga Kievi i Ukrainës së trazuar me territorin e saj, ka ardhur për herë të parë qëndrimi i ndryshuar amerikan për ndërrim territoresh në Ballkan.

John Bolton, këshilltar për siguri kombëtare i Presidentit amerikan, Donald Trump, ka thënë se SHBA-së nuk do t’i pengonte aspak shkëmbimi i territoreve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, nëse për këtë pajtohen të dyja palët, raporton KTV.

“Politika amerikane është që nëse të dyja palët mund të arrijnë marrëveshje ndërmjet tyre, ne nuk përjashtojmë ndryshimet territoriale, nuk na përket neve të vendosim. Është e qartë se është temë e vështirë. Nëse nuk do të ishte, do të zgjidhej shumë kohë më parë. Por, ne nuk do ta pengojmë arritjen e një marrëveshjeje dhe besoj se askush në Evropë nuk do ta pengonte një marrëveshje të kënaqshme mes palëve”, ka thënë Bolton.

Ai ka thënë se ka sinjale që të dyja qeveritë janë duke negociuar në mënyrë të heshtur për shkëmbimin e territoreve. Sipas tij, SHBA-ja është e gatshme të ndihmojë qoftë nga afër, apo edhe nga distanca, por pa ndërhyrë në proces.

Ky është qëndrimi i parë publik amerikan që e përkrah shkëmbimin e territoreve, një ide që është lansuar në publik nga presidentët Thaçi dhe Vuçiq.

Ideja vjen nga John Bolton, ish-ambasador i SHBA-së në OKB, dhe një kundërshtar i fortë i pavarësisë së Kosovës.

Para dhe pas shpalljes së pavarësisë, Bolton kishte thënë se pavarësia e Kosovës është rrezik për destabilizimin e gjithë Ballkanit dhe duke folur për mediat ruse, thoshte se në Kosovë do të përhapet ekstremizmi islamik.

Pak kohë më parë, Bolton e priti në Washington ministrin e jashtëm serb, Ivica Daçiq, ku e diskutuan idenë e ndarjes së Kosovës.

Beogradi i ishte gëzuar emërimit të Boltonit, duke besuar se ai do ta bindë Presidentin Trump të dalë kundër pavarësisë së Kosovës.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme