Në Bardh të Malishevës zbulohet lapidari i dëshmorit të kombit Afrim Krasniqi

Prishtinë | 28 Dhj 2022 | 16:31 | Nga Ekonomia Online

Në fshatin Bardh të Komunës së Malishevës, u bë zbulimi i lapidarit kushtuar dëshmorit të kombit Afrim Krasniqi, nga ky fshat.

Në ceremoni, morën pjesë strukturat komunale, bashkëluftëtar të dëshmorit dhe qytetarë të shumtë.

“Është kënaqësi e krenari për këtë investim që kemi bërë. Do të vazhdojmë të përkrahim vlerat kombëtare, sepse sa më shumë gjurmë e shenja për vlerat, është më mirë për të ardhmen e gjeneratave që vijnë. Urime për fshatin Bardh, bashkëluftëtarët dhe gjithë Llapushën”, ka thënë mes tjerash në fjalën e rastit, Kryetari i Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati.

Duke folur për dëshmorët dhe rëndësinë e  ngritjes së lapidarëve, si ky sot,  Fatmir Limaj – Çeliku, tha se, dëshmia e parë që përnjëmend e duam, e nderojmë këtë vend, janë dëshmorët e rënë për lirinë e Kosovës.

“Ngritja e shenjave dhe e vlerave si ky lapidar, është dëshmi tjetër e madhe se populli ynë i do dhe krenohet me kontributin e tyre, me luftën e lavdishme të tyre dhe në përgjithësi me të kaluarën tone historike. Nderimi që i bëjmë dëshmorëve është falënderim për lirinë, për shtetin, e për Kosovën e pavarur, që në themele të saj ka gjakun e dëshmorëve dhe gjithë atyre që kanë kontribuar për të ndër breza”, u shpreh ai.

Ndërsa, zëvendëskomandanti i FSK-së, Gjeneralmajor, Enver Cikaqi,  duke folur në këtë ceremoni, tha se “lufta e UÇK-së, është themeli i lirisë dhe shtetit, dhe një bazë e fuqishme e ushtrisë që është duke u zhvilluar çdo ditë e me shumë”.

“Ky lapidar është një shenjë që tregon se liria jonë, shteti ynë, është arritur e ndërtuar falë gjakut të dëshmorëve të kombit”, ka thënë Fatmir Shurdhaj, ish bashkëluftëtar me Afrim Krasniqin.

Në këtë ceremoni të zbulimit të lapidarit kushtuar dëshmorit të kombit, Afrim Krasniqi, biografinë e tij e ka lexuar, anëtari i Kuvendit të Komunës në Malishevë, Valon Krasniqi nga fshati Bardh.

Të ngjashme