Në dhjetor funksionalizohet aparati për angiografi në QKUK

Prishtinë | 23 Nën 2018 | 12:18 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili ka vizituar QKUK-në dhe ka njoftuar se në dhjetor do të funksionalizohet aparati për angiografi, i cili ishte blerë qe tri vjet por nuk kishte arritur në Kosovë.

Sipas Ismailit, me funksionalizimin e këtij aparati pacientëve do t’u kursehen miliona euro dhe do t’u ofrohen shërbime 24 orë në ditë, raporton Ekonomia Online.

“Sot ishim për me e pa përfundimin e punimeve ose fazën tejet finale të punëve që janë bërë për angiograf, një aparat i cili është blerë para tri viteve, i cili ka qëndru për një kohë të gjatë në Austri, edhe pse është paguar.

“Do të vijë për pacientët tanë, do të largojmë listën e koronarografisë e cila ka qenë për një kohë të gjatë dhe u ka kriju shpenzime qytetarëve”.

Me lëshimin e kësaj aparature në muajin dhjetor, do të fillojmë punën për largimin edhe të asaj liste dhe me një fjalë po e funksionalizojmë një shërbim, i cili jo vetëm që do të shpëtojë jetë të qytetarëve, por edhe do t’i kursejë paratë e tyre në masë tejet të madhe”.

Basri Sejdiu, drejtor i ShSKUK-së, tha se ky aparat do të mundësojë trajtim të dinjitetshëm të pacientëve dhe do të hiqen listat e pritjes, raporton eO.

“Duhet falënderuar edhe publikisht angazhimin edhe të Ministrisë së Shëndetësisë që është mundësu që njëherë e përgjithmonë të kthehet mbarë sistemi kardiovaskular në shëndetësi dhe kjo ka qenë ëndrra jonë që tani me një angiograf të ri  do të mundësohet që të trajtohen pacientët në mënyrë më të dinjitetshme, të hiqen listat e pritjes, dhe çka është më e rëndësishme, do të mbahet kontinuiteti sepse dy aparate mundësojnë punë afatgjate duke mos ngecur gjatë punimeve”.

“Për pacientët është një epokë e re dhe tani jemi duke përgatitur edhe projektin tjetër që trajtimi në dy orë të para të infarktit që është shumë i rëndësishëm për pacientin dhe për shëndetësinë kosovare”.

Drejtori i Klinikës së Kardiokirurgjisë me Kardiologji Invazive, Tefik Bekteshi, ka thënë se brenda pak kohe do të mund të hiqet lista e pritjes.

“Kushtet po përmirësohen dhe shpresoj që me dy salla funksionale brenda një kohe shumë të shkurtër, dymujore, listat e pritjes do të largohen dhe pacientët do të kenë kohën e saktë të procedurës që e indikon mjeku. Do të jemi pranë pacientët pasi që kemi edhe përkrahjen e menaxhmentit të QKUK-së dhe MSh-së”, ka thënë ai.

Të ngjashme