Në Prishtinë nuk dihet sa ndërtesa banesore janë gjithsej, por nga viti 2012-2022 u lëshuan 532 leje ndërtimore

Prishtinë | 07 Qer 2022 | 15:46 | Nga Ekonomia Online

Shpesh herë qyteti i Prishtinës ngjason me qytetet e mëdha të botës, sa i përket ndërtimeve të larta e në numër të madh.

Ndërtesa thuajse të ngjitura me njëra-tjetrën, e shumë pak prej tyre me hapësira të mjaftueshme gjelbëruese ndërtohen thuajse çdo muaj në secilën lagje.

Kryeqyteti i Kosovës njihet si vend me ndërtime të shumta urbanistike, por që pikërisht nga kjo komunë nuk kanë informacione se sa është saktësisht numri i të gjitha ndërtimeve banesore që nga paslufta në vend.

Të kontaktuar nga lajmi.net, nga Komuna e Prishtinës kanë deklaruar se nuk posedojnë të dhëna për numrin e ndërtimeve banesore të përfunduara.

“Për numrin e ndërtimeve banesore të përfunduara kjo drejtori nuk posedon të dhëna, përveç për numrin e lejeve-certifikatave të përdorimit, të lëshuara (jo për të gjitha ndërtimet e përfunduara bëhet kërkesë për certifikatë të përdorimit)”, thuhet në përgjigjen e komunës së Prishtinës.

Por sipas tyre vetëm për periudhën katër mujore të parë të këtij viti, janë lëshuar 16 leje ndërtimore për ndërtesat banesore.

Ndërsa sa i përket viteve të mëhershme, nga viti 2012 deri më 2022, janë lëshuar 532 leje ndërtimore.

“Për periudhën katër mujore të këtij viti janë lëshuar gjithsej 16 leje ndërtimore për ndërtesat banesore. Bazuar në të dhënat që posedon kjo drejtori, për periudhën prej vitit 2012-2022, janë lëshuar gjithsejtë 532 leje ndërtimore. Por nuk posedon të dhëna sa objekte banesore janë ndërtuar, sepse jo çdo leje ndërtimore është lëshuar për një ndërtesë banesore”, thuhet në përgjigjen e komunës së Prishtinës.

Gjithashtu është theksuar se Drejtoria e Urbanizmit-Sektori i Legalizimit ka vazhduar trajtimin e aplikimeve të dorëzuara me programet paraprake të legalizimit si dhe aplikimet.

“Drejtoria e Urbanizmit-Sektori i Legalizimit ka vazhduar trajtimin e aplikimeve të dorëzuara me programet paraprake të legalizimit si dhe aplikimet me ligjin aktual të ndërtimeve pa leje të vitit 2019, 2020, 2021 dhe 2022”.

Sipas komunës deri më tash janë pranuar afro 5 mijë aplikacione me ligjin aktual për legalizimin e ndërtimeve pa leje.

“Janë pranuar rreth 5000 aplikacione me ligjin aktual për legalizimin e ndërtimeve pa leje deri më tash,ndërsa me programe të mëhershme janë rreth 6500 aplikacione. Procesi i legalizimit nuk ka ngecur, por është duke vazhduar me trajtimin e aplikimeve deri me tash pa ndërprerë”, theksohet nga Komuna e Prishtinës.

Ndërsa të pyetur se pse për shumë banesa në Prishtinë ende mbetet pa u përfunduar procesi i pranimit teknik, nga Komuna e Prishtinës kanë deklaruar se në vazhdimësi kanë pranuar kërkesa për pranime teknike, e që përkatësisht lëshohen edhe certifikata të përdorimit.

“Pranimet teknike janë të mundësuara për palët e interesuara sipas dispozitave ligjore duke përfshirë Ligjin Nr. 04/L-110 për Ndërtim dhe Udhëzim Administrativ MMPH Nr. 05/2017 për mbikëqyrje inspektuese dhe procedurën për lëshimin e certifikatës së përdorimit. Komuna e Prishtinës në vazhdimësi pranon kërkesa për pranime teknike, përkatësisht lëshon Certifikata të Përdorimit, bazuar në Raportet e Inspektimeve Finale dhe konform dispozitave ligjore të lartpërmendura.”, thuhet tutje.

Pavarësisht ndërtimeve të shumta të cilat janë bërë në Prishtinë, shumë prej blerësve kanë mbetur të pakënaqur me çështjet teknike.

E shumë prej këtyre banorëve në ndërtesat e reja në kryeqytet, madje kanë mungesë edhe të infrastrukturës rrugore.

Disa nga lagjet më të banuara tashmë në Prishtinë nuk kanë as rrugë të shtruara siç duhet, gjë e cila padyshim veçse ua vështirëson edhe më tepër jetesën në kryeqytet.

Të ngjashme