Në Samitin e Sofjes do të respektohet neutraliteti ndaj statusit të Kosovës

Prishtinë | 03 Pri 2018 | 08:40 | Nga

Në Samitin e Sofjes, BE – Ballkani Perëndimor, Bullgaria do të respektojë në tërësi neutralitetin ndaj statusit të Kosovës.

Kështu ka thënë për të përditshmen serbe “Novosti”, zëdhënësja e presidencës bullgare të BE-së, Genoveva Çervenakova.

Bullgarët aktualisht po përpiqen të bindin të gjitha shtetet anëtare se nuk do të trajtohet çështja e statusit dhe po kërkojnë formulën e duhur, shton kjo gazetë dhe kujton se ishte Spanja e para ajo që u deklarua se nuk është e kënaqur me faktin se Kosova ka një trajtim shtetëror në atë konferencë dhe pastaj rezervë për të marrë pjesë në konferencë për shkak të Kosovës shfaqën edhe Rumania e Qipro.

“Jemi shumë të vetëdijshëm për rëndësinë e çështjes së raportit ndaj Kosovës nga shtetet që s’e kanë njohur, dhe me ta po punojmë për së afërmi në forma të ndryshme”, ka thënë Çervenakova, transmeton Koha.net.

Ajo shtoi se qëllimi i Bullgarisë është që samitin ta organizojë për të gjitha 28 shtetet anëtare dhe që të gjitha të përfaqësohen nga nivelet më të larta, si dhe të dërgohet porosia e përbashkët rreth integrimeve evropiane të Ballkanit Perëndimor, që është një prej prioriteteve të presidencës bullgare.

Ndërkaq, gazeta shkruan se edhe Sllovakia, shtet anëtar i BE-së që po ashtu s’e ka njohur pavarësinë e Kosovës, po mendon për modalitete të pjesëmarrjes.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme