Nisin hetimet për rastin e artistëve kosovarë që u ndaluan në Shqipëri si “trafikantë tritoli”

Prishtinë | 07 Shk 2024 | 14:14 | Nga Ekonomia Online

Ministri i Brendshëm, Taulant Balla, të mërkurën ka njoftuar se Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP) ka nisur hetimet lidhur me ndalimin e një grupi artistësh nga Kosova që u ndaluan nga Policia e Shtetit si të dyshuar për “trafikim të tritolit”.

Të hënën, anëtarët e shfaqjes “The Handke Project” u arrestuan në vendin ku bëhet pagesa e shfrytëzimit të “Rrugës së Kombit”. Rreth orës 00:30 patrullat e Policisë kanë qenë duke kontrolluar për gjoja kapjen e anëtarëve të grupit kriminal në kërkim. Në një prej veturave të ndaluara ishin tre anëtarë të ekipit. Në sytë e pjesëtarëve të Policisë dolën më shumë se të dyshimtë. U shoqëruan dhe mbajtën në Kukës për tri orë e më pas në Tiranë deri në mëngjes. Dramaturgu Jeton Nerizaj ka thënë se janë duke e menduar që të mos e lënë me kaq krejt këtë çfarë ka ndodhur.

Por ministri Balla ka thënë se pretendimi i grupit nuk qëndron në tërësi. Ai thotë se grupi i artistëve nuk janë mbajtur me orë të tëra pikërisht sepse kanë statusin e aktorëve.

“Për sa i takon pretendimeve të ndonjë prej artistëve të trupës së përfshirë në objektin e operacionit, për keqtrajtim nga ana e Policisë së Shtetit, informoj se AMP-ja ka nisur hetimin lidhur me këtë. Por pretendimi për orët e tepërta mbajtjes në polici të tyre nuk qëndron, përkundrazi Policia e Shtetit ka vepruar shumë më shpejt se sa afati standard i verifikimeve, pikërisht sepse ka pasur parasysh statusin e aktorëve të ndodhur në vendngjarje. Të cilët sidoqoftë nuk mund të liheshin të lirë pa u bërë të gjitha verifikimet”, ka shkruar Balla në Facebook.

Balla ka shprehur keqardhje sepse “në vend të mirëkuptimit për faktin se ky operacion rezultoi në kapjen e 203 kallëp tritoli, nxitet keqkuptimi dhe mllefi kundër uniformave blu të Republikës së Shqipërisë”.

Statusi i plotë i Ballës pa ndërhyrje:

Jam i keqardhur për publikimet në mediat e Kosovës lidhur me operacionin e Policisë së Shtetit, ku u kap një sasi prej 46 kg tritol. Operacioni është plotësisht i dokumentuar dhe informoj me këtë rast opinionin publik në Kosovë se, citoj:

“Në datë 4 shkurt 2024, në orën 22.38, Salla Operative e Tiranës i ka dërguar informacion Sallës Operative Kukës se një mjet me targa të Kosovës, nëse konstatohej duhej ndaluar për shkak të një hetimi në ndjekje e sipër. Në ora 00:30, në Pikën e Kontrollit të vendosur në “Rrugën e Kombit”, Policia e Kukësit ka identifikuar mjetin tip “BMW”, ku pasagjer në vendin e parë ndodhej shtetasi kosovar L.P., i shpallur në kërkim për veprat penale “Trafikimi i armëve dhe i municionit” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”. Pas mjetit të parë tip “BMW” me targa të Kosovës, objekt kontrolli, ishte edhe një automjet i dytë tip “Skoda”, i cili nga intervistimi i pasagjerëve, rezultoi se udhëtonin së bashku. Automjetet së bashku me personat u shoqëruan në ambientet e DVP Kukës për verifikime të mëtejshme duke zbatuar procedurat standarde të shoqërimit. Punonjësit e Policisë u kanë bërë me dije arsyet e verifikimit dhe shoqërimit, në bazë të kërkesës nga DVP Tiranë. Theksojmë se drejtuesi i mjetit ka pranuar dhe nuk ka kundërshtuar për asnjë moment punonjësit e policisë.

Shërbimet e DVP Tiranë kanë udhëtuar drejt DVP Kukës menjëherë sa kanë marrë njoftim, dhe kanë marrë shtetasit e shoqëruar dy automjetet e lartpërmendura, duke kryer veprimet administrative sipas procedurës standarde të Policisë Shtetit”.

Shërbimet e DVP Tiranë kanë udhëtuar drejt DVP Kukës menjëherë sa kanë marrë njoftim, dhe kanë marrë shtetasit e shoqëruar dy automjetet e lartpërmendura, duke kryer veprimet administrative sipas procedurës standarde të Policisë Shtetit”.

Për sa i takon pretendimeve të ndonjë prej artistëve të trupës së përfshirë në objektin e operacionit, për keqtrajtim nga ana e Policisë së Shtetit, informoj se AMP ka nisur hetimin lidhur me këtë. Por pretendimi për orët e tepërta mbajtjes në polici të tyre nuk qëndron, përkundrazi Policia e Shtetit ka vepruar shumë më shpejt se sa afati standard i verifikimeve, pikërisht sepse ka pasur parasysh statusin e aktorëve të ndodhur në vendngjarje. Të cilët sidoqoftë nuk mund të liheshin të lirë pa u bërë të gjitha verifikimet. Së fundmi keqardhja mbetet dhe bëhet edhe më e madhe, kur në vend të mirëkuptimit për faktin se ky operacion rezultoi në kapjen e 203 kallëp tritoli, nxitet keqkuptimi dhe mllefi kundër uniformave blu të Republikës së Shqipërisë.

Të ngjashme