Një delegacion i Ushtrisë shqiptare viziton FSK-në

Prishtinë | 03 Mar 2017 | 14:45 | Nga

Komandanti i Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes (KDS), gjeneral brigade Enver Cikaqi, me stafin e tij pritën në takim një delegacion ushtarakësh  të kryesuar nga komandanti  Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, gjeneral brigade Manushaqe Shehu.

Gjeneral Cikaqi e njoftoi delegacionin nga Shqipëria lidhur me angazhimet e KDS-së,  me misionin, detyrat dhe përgjegjësitë aktuale që ka KDS-ja,  me synimet e saj në të ardhmen si dhe me përgatitjet rreth fazës së transformimit. Gjithashtu gjatë takimit u bisedua për nevojat e bashkëpunimit në shumë fusha si dhe shkëmbimin e përvojave.

Gjeneral brigade, Manushaqe Shehu,  gjatë fjalës  së saj tha se ndjehet shumë e lumtur me të arriturat e FSK-së, si në aspektin profesional ashtu edhe në aspektin e ngritjes së infrastrukturës së saj.  Ajo po ashtu premtoi mbështetje për KDS-në në të gjitha fushat në të cilat ka nevojë, si duke ofruar trajnime, kuadro të specializuara apo literaturë të nevojshme.

Më pas shefi i shtabit të KDS-së,  nënkolonel Fadil Hoxha, bëri një prezantim të shkurtër  për të pranishmit lidhur me aktivitetet e KDS-së, ku nuk munguan pyetjet dhe diskutimet e shumta.  Pastaj, bashkërisht, delegacioni i KDSFARSH dhe  gjeneral Cikaqi, vizituan edhe  qendrat stërvitore, për t’u njohur nga afër  me trajnimet  dhe kurset që zhvillohen në këto qendra.

Në fund, gjeneral brigade Enver Cikaqi falënderoi gjeneral brigade Manushaqe Shehun dhe ekipin nga Shqipëria për vizitën që i bënë KDS-së. Të dy  gjeneralët premtuan rritje të bashkëpunimit në të ardhmen.

Kjo vizitë u realizua  në kuadër të bashkëpunimit dypalësh që ka FSK-ja me Ushtrinë Shqiptare, dhe ishte në vazhdën e  shkëmbimit të përvojave në mes dy komandave dhe dy forcave tona.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme